Kjo masë urgjente është “e hidhur, por thelbësore” për të lehtësuar kërcënimin e mungesës së energjisë, thotë ministri i ekonomisë Robert Habeck.
Gjermania do të rrisë ndjeshëm përdorimin e qymyrit, i cili prodhon sasi të mëdha ndotjeje, për të ruajtur furnizimet me energji përpara dimrit, pasi reduktimet e eksporteve të gazit nga Rusia kërcënojnë të sjellin mungesa në ekonominë më të madhe të Europës.
Qeveria gjermane tha të dielën se do të miratonte ligje emergjente për të rihapur termocentralet e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe do të shesë në ankand furnizimet me gaz për industrinë, në mënyrë që të nxisë bizneset për të reduktuar konsumin. Kjo lëvizje ilustroi thellësinë e shqetësimeve në Berlin në lidhje me mungesat e mundshme të gazit gjatë muajve të dimrit.
“Kjo është diҫka e hidhur, por në këtë situatë është thelbësore që të ulim përdorimin e gazit,” tha ministri gjerman i ekonomisë, Robert Habeck, anëtar i partisë së Gjelbër.
Rusia uli kapacitetin në tubacionin kryesor të eksportit të gazit në Gjermani me 60 për qind, duke shkaktuar shumë shqetësime në të gjithë kontinentin pasi zyrtarët perëndimorë u bindën se Moska po i përdor eksportet e saj të gazit si një armë për t’iu përgjigjur sanksioneve të BE-së pas pushtimit të Ukrainës.
Italia, e cila gjithashtu ka pasur një rënie të furnizimeve me gaz nga Rusia, pritet të shpallë masa emergjente në ditët në vijim, nëse nuk vazhdohet normalisht me furnizimet.
Habeck tha se Berlini po punonte për të hartuar një ligj të ri, i cili do të rikthejë përkohësisht për dy vite disa termocentrale me qymyr që prodhojnë deri në 10 gigavat energji. Kjo do të rriste varësinë e Gjermanisë nga qymyri për prodhimin e energjisë elektrike me në një të tretën.
“Situata është serioze,” tha Habeck. “Është padyshim strategjia e Putinit që të na mërzisë, që të rrisë çmimet dhe që të na ndajë… Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë.”
Ky plan bie në kundërshtim me politikën e Gjermanisë për klimën, e cila synon reduktimin gradual të qymyrit deri në vitin 2030, pasi ai emeton më shumë karbon sesa gazi.
Tre centralet bërthamore të Gjermanisë që kanë mbetur aktive kanë një kapacitet prej 4 gigavat dhe janë planifikuar për t’u mbyllur deri në fund të këtij viti. Për këto centrale bërthamore nuk do të ketë një shtyrje të afatit të mbylljes, pasi qeveria ka arritur në përfundimin se rreziqet teknike dhe ato të sigurisë janë shumë të larta.
Para fillimit të pushtimit në shkurt, Gjermania importonte 55 për qind të gazit të saj nga Rusia.
Ditët e fundit, kompania shtetërore që eksporton gaz nga Rusia, Gazprom, ka reduktuar furnizimet përmes tubacionit Nord Stream 1 (NS1), i cili kalon nga Deti Baltik deri në Gjermani, duke ia vënë fajin sanksioneve të Kanadasë që kanë bllokuar pajisjet e pompimit nga Siemens Energy në Montreal.
Gjermania dhe aleatët e saj në Europë i kanë hedhur poshtë pretendimet e Gazprom, duke argumentuar se çdo problem teknik ishte një pretekst për të justifikuar hakmarrjen e Moskës kundër sanksioneve të BE-së. Gazprom nuk ka përdorur rrugët alternative të tubacioneve për të kompensuar mungesën e furnizimeve përmes NS1.
Çmimet e gazit në Europë, të cilat tashmë kanë arritur nivele rekord, u rritën akoma më shumë javën e kaluar në përgjigje të reduktimeve të fundit të furnizimeve.
Rritja e çmimeve të energjisë po shton inflacionin dhe po rrit krizën e kostos së jetesës në të gjithë Europën. Bankat qendrore po përpiqen t’i trajtojnë këto probleme pa e futur ekonominë e rajonit në recesion.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e cilësoi varësinë e vendit nga energjia ruse si “një gabim të politikës ekonomike të Gjermanisë” dhe tha se qeveritë e mëparshme nuk arritën të krijonin mundësi alternative për furnizimin me gaz.
Gjermania planifikon të instalojë katër terminale lundrues të gazit natyror të lëngshëm dhe ka vënë si prioritet rimbushjen e depozitave të gazit që mund të përdoren gjatë dimrit. Aktualisht, këto depozita janë të mbushura në masën 56 për qind dhe Habeck synon të arrijë shifrën 90 për qind deri në dhjetor.
“Ne kemi nevojë dhe do të bëjmë gjithçka për të ruajtur sa më shumë gaz që të jetë e mundur”, tha Habeck, duke e quajtur këtë “prioritetin më të lartë” dhe duke shtuar se “në të kundërt, do të kishte masa të forta shtrënguese në dimër”.
Gjermania synon të reduktojë konsumin normal me rreth një të pestën, por pa përdorur racionimin, ndërkohë që do të rrisë furnizimet nga Norvegjia nëpërmjet tubacioneve dhe importet e gazit natyror të lëngshëm.
Megjithatë, kjo mund të bëjë që furnizimet të jenë të rrezikuara, veçanërisht nëse dimri që do të vijë do të jetë shumë i ftohtë. Temperaturat mesatare në Gjermani janë 6 gradë celsius ose edhe më pak, nga nëntori e deri në prill, sipas agjencisë rregullatore gjermane për gazin.
Analistët thonë se nëse magazinimi në Gjermani arrin në 90 për qind, kjo sasi do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar vetëm dy ose tre muaj me një konsum normal për dimrin, nëse furnizimet nga Rusia ndërpriten plotësisht.
Gjermania do të prezantojë gjithashtu një mekanizëm ankandi për përdoruesit e gazit nga industria, tha Habeck. Kompanitë që reduktojnë konsumin do të kompensohen, por detajet janë ende duke u finalizuar.
Vitin e kaluar, termocentralet me gaz përbënin 15 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në Gjermani. Sipas të dhënave, deri në fund të majit, Gjermania kishte në funksion 31.4 gigavat termocentrale me qymyr dhe 27.9 gigavat termocentrale me gaz.
Kapaciteti prej 10 gigavat i qymyrit, i cili do të rikthehet në punë tani, përbën vetëm 5 për qind të kapacitetit total të prodhimit të Gjermanisë. /monitor