Gjermania po përgatitet të vendosë përsëri sistemin “Patriot” në Poloni

Gjermania po përgatitet të vendosë sërish në mënyrë të përkohshme sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot” në Poloni, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, Gjermania planifikon të vendosë përkohësisht sistemin e mbrojtjes ajrore si dhe ushtarë në rajonin Rzeszow në juglindje të Polonisë.

Në lajm thuhet se misioni për vendosjen e trupave dhe të sistemeve të mbrojtjes ajrore parashikohet të nisë në janar 2025 dhe se në ditët në vijim do të fillojnë punimet për këtë.

Rzeszow ka rëndësi strategjike për mbështetjen ndaj Kievit. Rajoni ka rolin e një qendre strategjike për ndihmat ushtarake që Perëndimi jep për Ukrainën.

Me qëllim për të mbrojtur hapësirën ajrore të Polonisë, Gjermania në periudhën janar-nëntor 2023 vendosi 3 sisteme “Patriot” në dy lokacione të ndryshme në afërsi të qytetit Zamosc ndërsa dërgoi 320 ushtarë për të përdorur këto sisteme.