Rregullatori gjerman i energjisë ka pezulluar procesin e miratimit për tubacionin e diskutueshëm të gazit natyror “Nord Stream 2” nga Rusia në Gjermani.
Sipas rregullatorit kompania operuese e tubacionit duhej të ishte në përputhje me ligjin gjerman përpara se ai të certifikonte projektin prej 10 miliardë eurosh (8.4 miliardë £).
Vendimi çoi çmimet e gazit me shumicë në Britani dhe Europën kontinentale, në nivelet maksimale të tre javëve.
Kritikët kanë frikë se tubacioni do të rrisë varësinë energjetike të Europës nga Rusia.
Gazprom në pronësi të Rusisë tha se tubacioni ishte gati që në shtator, por nuk ishte vënë në funksion për shkak të vonesave.
I shtrirë nën Detin Baltik, “Nord Stream 2” do të dyfishojë eksportet e gazit të Moskës në Gjermani, por do të anashkalojë gjithashtu Ukrainën, e cila do të goditet rendë nga humbja e tarifave të tranzitit nga tubacionet ekzistuese.
Bizneset gjermane kanë investuar shumë në tubacionin prej 1,225 km (760 milje) dhe ish-kancelari Gerhard Schröder ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e tij.
Rregullatori gjerman tha se “do të ishte e mundur të certifikohej një operator i gazsjellësit Nord Stream 2 vetëm nëse ai operator do të organizohej në një formë ligjore sipas ligjit gjerman”.
Vendimi ka të ngjarë ta shtyjë projektin disa muaj, pasi edhe kur të marrë miratimin gjerman, do të kërkojë një dritë jeshile edhe nga Komisioni Europian.
Rregullatori tha se procedura e miratimit të tij do të mbetet e pezulluar derisa “asetet kryesore dhe burimet njerëzore” të transferohen nga kompania mëmë me bazë në Zvicër në filialin e saj gjerman, i cili zotëron dhe operon pjesën gjermane të gazsjellësit.
Ukraina ka kundërshtuar Nord Stream 2, të përshkruar nga Presidenti Volodymyr Zelensky si një “armë e rrezikshme gjeopolitike”.
Vendimi i rregullatorit gjerman për të pezulluar certifikimin është mirëpritur nga kompania ukrainase e energjisë Naftogaz. Edhe kompania polake e gazit PGNiG ka bërë thirrje për solidaritet energjetik në Bashkimin Europian për të garantuar sigurinë e furnizimeve.
Sipas direktivës së BE-së për gazin, prodhuesit e gazit duhet të jenë të ndarë nga kompania që zotëron tubacionin.
Konsorciumi Nord Stream 2 nuk ka pranuar të komentojë mbi vonesat e mundshme në eksportet e gazit. /monitor