Muajin e ardhshëm në Gjermani mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Shumë gjermanë nuk dinë kë të votojnë.
Pas 16 vitesh me Angela Merkel në pushtet, sondazhet tregojnë se 25% e popullsisë është ende e pavendosur se cilën parti të zgjedhë dhe kë dëshiron të shohë në krye të qeverisë së re, Annalena Baerbock nga të Gjelbrit, Armin Laschet nga CDU-ja, apo Olaf Scholz nga SPD.
“Të them të drejtën, nuk di për kë të votoj. Mendoj se asnjë nga kandidatët për kancelar nuk është në gjendje ta nxjerrë këtë vend nga rrëmuja,” – u shpreh një grua.
“Kandidatët janë të gjithë të këqij dhe ndryshe nga 30 vitet e fundit në të cilat kam pasur mundësi të votoj, këtë herë jam i pavendosur,” – deklaroi një qytetar gjerman.
Sondazhi i fundit i kryer nga instituti Forsa tregon se social-demokratët janë para koalicionit CDU/CSU, me 23% të votave.
Vetëm një muaj më parë, unioni llogariste 30% të votave dhe SPD gjysmën. Të Gjelbrit ndërkohë janë në kuotën 18%, ndërsa liberalët e FDP-së 12%.
Por si mund të shpjegohen ulje-ngritjet në sondazhe dhe përse shumë gjermanë nuk dinë për kë do të votojnë më 26 shtator?
“Së pari, kjo është një fushatë zgjedhore e veçantë sepse për herë të parë në Gjermani ndodhemi në një situatë ku një kancelar në detyrë nuk garon për t’u rizgjedhur. Kjo tregon qartë se do të kemi një person të ri në këtë post,” – tha Gregor Zons, studiues në Universitetin e Düsseldorf. /euronews