Gjermania në krizë të punëtorëve të kualifikuar, do t’i rekrutojë nga India

Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil

Gjermania planifikon të zgjidhë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar duke punësuar në masë punëtorë nga India, njoftoi ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, këtë javë në Berlin.

Për këtë, shtoi ai, shteti do të marrë mbi 30 masa për eliminimin e pengesave burokratike në lidhje me dhënien e lejeve për punëtorët nga India.

Heil paralajmëroi se Gjermania po përballet me mungesë të madhe të fuqisë punëtore dhe këto pengesa po pengojnë rritjen dhe përparimin e vendit. Ministri ka frikë se situata do të përkeqësohet pasi Gjermania përballet me shoqëri të plakur, raporton agjencia gjermane e lajmeve dpa.

“Në Indi, situata është pikërisht e kundërta”, ka thënë ai dhe shpjegoi se tregu i punës atje e ka të vështirë t’i punësojë të gjithë njerëzit me arsim të lartë. Sipas tij, 1 milion njerëz i bashkohen tregut të punës në Indi çdo muaj, prandaj autoritetet indiane inkurajojnë migrimin.

“Në këtë këndvështrim, Gjermania e sheh Indinë si partner veçanërisht të rëndësishëm”, ka deklaruar ministri.

Siç ka bërë të ditur ai, Ministria e Punëve të Jashtme gjermane deri në fund të vitit do të digjitalizojë dhënien e vizave për Indinë dhe pak më vonë edhe për vendet e tjera. Me këtë duan të përshpejtojnë punësimin e të huajve në Gjermani.

Ata planifikojnë gjithashtu promovim më të gjerë të gjuhës gjermane, dhe në të njëjtën kohë ndihmë më të mirë për indianët që tashmë janë në Gjermani për të gjetur punë.

Sipas ministrit, Gjermania do të prezantojë strategjinë e punësimit indian gjatë vizitës së përfaqësuesve gjermanë në Indi javën e ardhshme.