Përshkallëzimi i krizës në Gjirin Persik, për shkak të sanksioneve që disa vende arabe zbatojnë kundër Katarit, ka vënë në lëvizje edhe Gjermaninë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel ka filluar një turne vizitash në vendet e Gjirit.
Në kuadër të këtij misioni, Gabriel do të përpiqet të zbusë tensionin me kontaktet që do të ketë në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe Kuvajt.
Në një prononcim, shefi i diplomacisë gjermane tha se kriza po e kërcënon në tërësi paqen dhe stabilitetin e Gjirit.
“Ne nuk jemi as në këtë anë, e as në anën tjetër. Nuk mbajmë anën e askujt. Vetëm se kriza e Gjirit nuk intereson vetëm vendet e këtij rajoni, që kanë rënë në mosmarrëveshje, por në të njëjtën kohë prek nga afër edhe interesat tona”, theksoi Gabriel.
Kriza e Gjirit kërcënon edhe ekonominë gjermane.
Katari sot është prodhuesi më i madh në botë i gazit të lëngëzuar.
Biznesmenët gjermanë i kanë kërkuar politikës së vendit që të jetë më aktive ndaj krizës së Gjirit.
Ka shqetësime se nga ky tension do të preken edhe investimet gjermane.