Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjermania mes dëshirës për fillim të ri dhe për vazhdimësi

Gjermania mes dëshirës për fillim të ri dhe për vazhdimësi

Të dielën gjermanët do të zgjedhin parlamentin federal, Bundestagun. Numri i konstelacioneve partiake që mund të formojnë qeverinë është më i madh se kurrë më parë. Partitë tradicionale janë dobësuar, shkruan Auron Dodi.

Në Gjermani thonë me humor se tradicionalisht në zgjedhjet parlamentare konkurojnë të gjitha partitë. Dhe në fund, ajo që e merr postin e kancelarit është CDU-ja. E thonë sepse pikërisht kjo ka ndodhur në 52 vjet, nga 70 vitet e fundit.

Mbetet të shihet nëse do të konfirmohet edhe në këto zgjedhje ky skenar.

Një sondazh i fundit, i publikuar dy ditë para zgjedhjeve (24.09.) i institutit demoskopik Allensbach i sheh socialdemokratët dhe konservatorët thuajse me mbështetje të barabartë, me 1 përqind diferencë (26/25%). Socialdemokratët kanë kryesuar katër muajt e fundit në shumicën e sondazheve përballë konservatorëve, së fundi me një diferencë shumë të vogël, 2-3 përqind. SPD ka marrë te 25 përqind, CDU/CSU kanë marrë te 22-23 përqind. Por një diferencë kaq e vogël është brenda marzhit të gabimeve që mund të bëjnë sondazhet. Kështu që përfundimet e sondazheve këtë herë nuk na tregojnë shumë.

Konstelacionet me shanse për të formuar qeverinë

Megjithë përparësinë e kandidatit socialdemokrat, Olaf Scholz, askush nuk e përjashton që konservatorët e CDU/CSU-së me kandidatin Laschet ta mbajnë edhe më tej Kancelarinë Federale. Për momentin është bërë krejt e paqartë edhe se prej cilave parti do të përbëhet në fund qeveria e re.

Shanse për të hyrë në qeverinë e ardhshme gjermane kanë që nga postkomunistët e partisë e E Majta, te Të Gjelbrit, te liberalët e FDP-së. Vetëm ultra të djathtët e AfD-së i përjashtojnë të gjithë si partnerë në qeveri. Me sondazhet e fundit, shifrat për formimin e qeverisë mjaftojnë edhe për dy parti, socialdemokratët (SPD) dhe konservatorët (CDU/CSU). Në fakt, dy partnerët e qeverisë së tanishme e nisën fushatën elektorale me dëshirën për të mos e vazhduar bashkëpunimin. Edhe në popull ndihet dëshira për të provuar konstelacione të reja politike.

Por të mundura janë edhe disa konstelacione treshe në qeverinë e ardhshme: SPD-Të Gjelbrit-liberalët e FDP; CDU/CSU-Të Gjelbrit-liberalët e FDP-së; si dhe koalicioni, i parë me frikë nga disa, i partive të majta: socialdemokratët -Të Gjelbrit dhe partia E Majta. Pra në 26 shtator gjithçka është e hapur.

Shkaqet e paqartësisë për raportet politike pas zgjedhjeve

Në Gjermani edhe këtë herë përjetojmë një mentalitet disi paradoksal: gjermanët edhe duan ndryshim – pas 16 vjetësh qeveri Merkel ata ndiejnë nevojën për koncepte të reja modernizuese; por njëkohësisht duan që gjithçka të mbetet si ka qenë, pasi gati 70 përqind e gjermanëve janë të kënaqur me situatën e tyre ekonomike. Një numër i madh votuesish, së fundi 35 përqind e tyre, janë ende të pavendosur se kujt do t’ia japin votën të dielën.

Pavendosmëria ushqehet nga disa faktorë. Së pari, zgjedhësve nuk u duket bindës deri në fund asnjëri nga kandidatët për kancelar: as kandidati i CDU/CSU Armin Laschet, as kandidatja e Gjelbër, Annalena Baerbock. Por ideal nuk u duket as kandidati socialdemokrat Olaf Scholz ose më saktë nuk preferojnë partinë e tij. Vetëm se Scholzi, prej mbi 30 vjetësh në politikë dhe pjesëtar i disa qeverive, është kandidati që sugjeron më shumë vazhdimësi, pas Merkelit. Vazhdimësia u pëlqen shumë votuesve.
Së dyti, në këto zgjedhje nuk pati një temë të madhe polarizuese, siç qenë p.sh. migrantët në zgjedhjet e 2017-ës. Ishte tema e migrantëve që i katapultoi para katër vjetësh ultra të djathtët e AfD-së në partinë më të madhe të opozitës në Bundestag.

Së treti, përjetojmë një copëzim të mbështetjes për partitë politike në Gjermani. Janë tronditur lidhjet strukturore të zgjedhësve me partitë, sidomos me partitë konservatore. Kjo edhe sepse ka ndryshuar shoqëria gjermane, kemi ndryshim brezash te votuesit. Sipas sociologëve, nuk janë gjithnjë të njëjtët zgjedhës që ndryshojnë mendimin, por pjesë të mëdha të zgjedhësve të mëparshëm moshohen dhe vdesin. Atyre ua zënë vendin grupe të reja zgjedhësish, që sjellin me vete një socializim të ri. Ata nuk identifikohen më me partitë tradicionale. Kjo nga njëra anë ndryshon drejtimin bazë të zgjedhësve e nga ana tjetër kërkon edhe zhdërvjelltësi të madhe në programet partiake.

Epoka e partive të mëdha, që frymëzonin dhe mblidhnin shumë njerëz rreth vetes, ka marrë fund edhe në Gjermani. Te 20 përqind pak a shumë si tendencë në këto zgjedhje janë tri parti: SPD, CDU dhe Të Gjelbrit. Të gjitha këto e bëjnë ditën e votimit shumë interesante. /dw

Exit mobile version