Në Gjermani personeli i huaj mjekësor duhet të ndihmojë për plotësimin e vendeve vakantë, por këto punonjës kërkohen në vendet e tyre për përballimin e krizës së koronavirusit.
Edhe gjatë pandemisë së koronavirusit Gjermania ka tërhequr punonjës për shërbimet mjekësore nga vendet e tjera. Kjo mësohet nga një kërkesë e parashtruar në Bundestag prej partisë „E Majta”, dokument që e citon rrjeti redaksional i mediave gjermane. Sipas dokumentit në fjalë në kuadër të programit „Triple-Win” në vitin 2020 Agjencia Federale e Punësimit dhe Shoqata për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) kanë tërhequr personel për shërbim mjekësor, rreth 759 forca nga Vietnami, Filipinet, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia.
Rritje me 30 përqind
593 punonjës mjekësie nga jashtë kanë ardhur në Gjermani pas përmbushjes së formaliteteve gjatë vitit të kaluar. Kjo është një rritje me 30 përqind krahasuar me vitin 2019.
Numri i të tërhequrve përmes programit është rritur që nga viti 2016 në gjithsej 2813 punonjës. Vendi kryesor nga vijnë punonjësit e mjekësisë në Gjermani është Filipinet me 1294. Serbia pason me 759,Bosnje-Hecegovina me 644, Vietnami me 84 dhe Tunizia me 32 vetë.
Partia „E Majta” e kritikon ashpër ministrin e Shëndetësisë Jens Spahn. Ministri i Shëndetësisë i refuzon kujtdo edhe hapat fare të vegjël për ta financuar në mënyrë solidare kujdesin shëndetësor, i tha rrjetit redaksional të mediave gjermane politikania e majtë, Pia Zimmermann. Sipas saj me këtë ministri bllokon edhe premisat financiare për një pagë më të mirë për kujdestarët e të moshuarve, çështje kjo që duhej të ishte zgjidhur me kohë. “Në vend të kësaj ai preferon të tërheqë forca pune nga jashtë për luftimin e pandemisë”, kriitkon Zimmerman.
Agjencia Federale e Punësimit përpiqet ta hedhë poshtë këtë argument në informacionin e publikuar në faqen zyrtare të saj online. Sipas kësaj agjencie rekrutimi i personelit mjekësor bëhet sipas kodit etik të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Vetëm nga vendet që kanë punonjës me tepricë në sektorin e shëndetësisë rekrutohet personel, sipas Agjencisë Federale të Punësimit. /dw