Gjermania ua ka tërhequr vërejtjen kurdëve të Irakut, që të heqin dorë nga shpallja e pavarësisë së njëanshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel ka kritikuar Administratën Rajonale Kurde (ARK) për mbajtjen e referendumit për të ardhmen e rajonit, pa marrë paraprakisht një pëlqim nga qeveria qendrore e Irakut, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar.
“Referendumi nuk ka efekt detyrues, veçanërisht në lidhje me territoret e kontestuara”, tha Gabriel duke iu referuar mosmarrëveshjes në relacion Erbil -Bagdad për zonat e kontestuara, përfshirë qytetin e pasur me naftë, Kirkukun i cili ndodhet jashtë territorit autonom kurd.
“U bëjmë thirrje palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejmë të situatës dhe të përmbahen nga hapat e mëtutjeshëm për pavarësi”, shtoi më tej ai.
Referendumi i cili u bojkotua nga turkmenët dhe arabët u mbajt të hënën në provincat Erbil, Dohuk dhe Sulejmanie, dhe në qarqet e kontestuara Kirkuk, Tuz dhe Khurmatu të provincës Saladin dhe në Khanaqin të provincës Diyala.
Edhe Rusia është shprehur se mbështet integritetin territorial të shteteve në Lindjen e Mesme.
“Për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, Rusia mbështet integritetin territorial dhe politik të Irakut”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke theksuar se vendi i tij nuk ka ndryshuar qëndrimin për sa i përket kësaj çështjeje.
Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur keqardhje për shkak se nuk u morën në konsideratë thirrjet që të mos mbahet referendumi i njëanshëm.
Në deklaratën me shkrim nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikës së Sigurisë, Federica Mogherini në lidhje me referendumin kontrovers të zhvilluar dje nga Administrata Rajonale Kurde e Irakut thuhet se BE konfirmon mbështetjen e integritetit territorial të Irakut.
“BE-ja ka konfirmuar vazhdimisht mbështetjen e saj për unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Irakut. Për këtë arsye BE-ja ka bërë thirrje që referendumi të mos mbahet në mënyrë të njëanshme dhe kryesisht në rajonet kontestuese. Shprehim keqardhje për shkak se nuk u morën në konsideratë këto thirrje”, thuhet në deklaratën e BE-së.