Gjermania kritikon fjalët e Papës për Ukrainën lidhur me “flamurin e bardhë”

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock kritikoi fjalët e Papa Françeskut, liderit shpirtëror të katolikëve dhe kreut të Vatikanit për Ukrainën lidhur me “ngritjen e flamurit të bardhë”, transmeton Anadolu.

Në një program në televizionin ARD, ministrja Baerbock kritikoi fjalët që Papa ka deklaruar për Ukrainën se “Unë besoj se ata që mendojnë për popullin e tyre janë ata që tregojnë guximin për të ngritur flamurin e bardhë dhe për të negociuar”.

“Unë nuk e kuptoj këtë në këtë moment. Është e nevojshme të shkohet në Ukrainë së bashku me ata që bëjnë thirrje për bisedime të paqes”, tha Baerbock.

Ajo shpjegoi se gjatë vizitave të saj në Ukrainë e ka parë seriozitetin e situatës atje. “Besoj se disa gjëra mund t‘i kuptoni kur i shikoni vetë. Kur bisedoj me fëmijët e prekur nga lufta në Ukrainë, i pyes që: Ku është Papa? Papa duhet të ketë dijeni për këto”, tha ministrja gjermane.

Baerbock tha se Gjermania kundërshton ata që duan t’i japin fund dërgimit të armëve në Ukrainë. “Nëse nuk tregojmë tani solidarizim dhe forcë, atëherë nuk do të ketë paqe. Për këtë arsye duhet të tregojmë vendosmëri, përfshirë edhe dërgimin e armëve. Duhet të qëndrojmë pranë Ukrainës dhe të bëjmë çdo gjë që mundemi që ajo të mund të mbrojë veten e saj”, tha kryediplomatja gjermane.

– Fjalët e Papa Françeskut për Ukrainën

Në një intervistë speciale për Radio Televizionin e Zvicrës (RSI), Papa Françesku bëri vlerësime lidhur me çështjet aktuale.

Pasi iu rikujtua se ka disa diskutime nëse Ukraina duhet të ngrejë apo jo flamurin e bardhë në luftë, Papa ka deklaruar: “Unë besoj se është më i fortë ai që sheh situatën, mendon për popullin e tij dhe tregon guximin për të ngritur flamurin e bardhë dhe për të negociuar”.

“Sot mund të negociohet me ndihmën e fuqive ndërkombëtare. Negocimi është shprehje e guximshme. Duhet të keni guximin për të negociuar kur shihni se keni humbur, kur punët nuk shkojnë si duhet. Keni mëdyshje, por me sa vdekje do të përfundojë kjo luftë”, ka thënë Papa Françesku.