Gjermania fajëson komunën për lejimin e tubimit pro-PKK

Qeveria federale gjermane është përpjekur ta kalojë fajin tek autoritetet lokale, pasi Turqia kritikoi ashpër Berlinin për ndalimin e tubimeve politike të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet, por duke lejuar fushatat e partive opozitare turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Maria Adebahr, kujtoi se vitin e kaluar qeveria federale vendosi të mos lejojë që politikanët e huaj të mbajnë tubime politike në Gjermani brenda tre muajve të zgjedhjeve në vendet e tyre respektive. Ajo theksoi se ky rregull ende është në fuqi.

E pyetur rreth tubimit të së shtunës në Këln, i cili u organizua nga Partia Demokratike e Popullit (HDP) e opozitës turke dhe e mbështetur nga grupi terrorist PKK, Adebahr argumentoi se lejimi ose ndalimi i ngjarjeve specifike nuk bie nën juridiksionin e qeverisë federale.

“Marrja e lejes për tubime ose ngjarje të veçanta bie nën juridiksionin e bashkive dhe autoriteteve lokale”, pohoi ajo.

Rreth 1.4 milionë emigrantë turq që jetojnë në Gjermani kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Turqisë më 24 qershor.

Përderisa qeveria gjermane dha dritën e gjelbër për ngritjen e qendrave të votimit muajin e ardhshëm në konsullatat turke, ajo nuk u dha leje udhëheqësve të partisë në pushtet të organizojë ngjarje të fushatës në të gjithë vendin.

– Erdoğan kritikon Gjermaninë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, dje ka kritikuar ashpër autoritetet gjermane për bllokimin e ngjarjeve të fushatës së partisë së tij, por duke lejuar aktivitetet e grupit terrorist PKK.

“Ata nuk lejojnë shokët tanë të marrin pjesë në takime në Gjermani edhe për detyrat shtetërore, por ata lejojnë PKK-në. Ata na gënjejnë. Ata u lejojnë terroristëve të organizojnë tubime nën mbrojtjen e policisë”, tha Erdoğan gjatë një tubimi në krahinën perëndimore turke Manisa.

HDP-ja opozitare, të cilën qeveria turke e akuzon si front politik për organizatën terroriste PKK, po planifikon të zhvillojë një tjetër ngjarje të madhe fushate në Berlin të dielën e ardhshme.

PKK është ndaluar në Gjermani që nga viti 1993, por ajo mbetet aktive me rreth 14 mijë pasues në mesin e popullsisë së emigrantëve kurdë në vend.

Turqia ka kritikuar gjatë autoritetet gjermane për mosmarrjen e masave serioze kundër grupit terrorist që përdor vendin si një platformë për propagandën, aktivitetet e mbledhjes së fondeve dhe rekrutim.

PKK është renditur si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja. Grupi zhvilloi një fushatë terroriste kundër Turqisë për më shumë se 30 vjet dhe ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave.