Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka njoftuar se vendi i tij do të marrë masa të mëtejshme për të frenuar migrimin e parregullt dhe do të shqyrtojë opsionet e mundshme për përpunimin e kërkesave për azil jashtë Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin pas takimit me kryeministrat e shteteve federale të Gjermanisë, Scholz tha se do të shqyrtojnë raportet e ekspertëve në muajt e ardhshëm për të përcaktuar nëse është e mundur të përfundohen marrëveshjet e azilit me vendet e treta.
“Ne kemi diskutuar raportet e vlerësimit paraprak. Tani do të vazhdojmë me kujdes. Mendoj se duhet të shmangim spekulimet në këtë fazë se çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është e mundur. Mendoj se është shumë herët për këtë”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se diskutimet në vende të tjera kanë treguar se ky nuk do të jetë një proces i lehtë.
Scholz tha se marrëveshja Itali-Shqipëri nuk mund të jetë një model për Berlinin, pasi situata e Italisë ishte krejtësisht e ndryshme nga Gjermania dhe shumica e emigrantëve të parregullt vijnë në Itali nga deti. Ai tha se marrëveshja Britani-Ruandë nuk është gjithashtu një model i përshtatshëm, pasi Gjermania duhet të përmbushë kërkesat e ligjit të BE-së gjatë përpunimit të kërkesave për azil.
“Në takimin e sotëm nuk pritej të thuhet se si do ta bëjmë më në fund, por më tepër ishte për shqyrtimin me kujdes të opsioneve, për të peshuar së bashku çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është dhe ne kemi rënë dakord që të takohemi përsëri në dhjetor”, tha Scholz.