Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser tha se mbrojtja që u ofrohet sirianëve do të rishikohet, transmeton Anadolu.
“Në përputhje me ligjet tona, Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (Bamf) do ta shqyrtojë dhe anulojë atë nëse njerëzit nuk kanë më nevojë për këtë mbrojtje në Gjermani për shkak të stabilizimit të situatës në Siri”, tha Faeser në një deklaratë për “Funke Media”.
Ajo theksoi se kjo situatë do të vlejë edhe për ata që nuk kanë të drejtë qëndrimi për arsye të tjera si puna apo arsimimi dhe nuk kthehen vullnetarisht në Siri.
Faeser shtoi se fillimisht janë të fokusuar në çështjet e sigurisë. “Kushdo që është i integruar mirë, punon, ka mësuar gjermanishten dhe ka krijuar shtëpi të re këtu, duhet të lejohet të qëndrojë në Gjermani”, u shpreh ajo duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së atyre që dëshirojnë të largohen nga Gjermania.
Ministrja gjermane tha se njerëzit që kanë kryer krime të rënda duhet të deportohen sa më shpejt të jetë e mundur. “Opsionet ligjore për këtë janë zgjeruar shumë dhe do të përdoren sapo të lejojë situata në Siri”, potencoi Faeser.
Sipas Ministrisë së Brendshme aktualisht në Gjermani jetojnë rreth 1 milion sirianë.
“Bamf” ka vendosur të pezullojë kërkesat për azil të njerëzve që vinin nga Siria pas përmbysjes së regjimit 61-vjeçar Baath në Siri.