Gjermania ka bërë të ditur se po planifikon të vendosë roje kufitare për të ndihmuar në monitorimin e vendkalimit Rafah midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit, si pjesë e një misioni civil të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Maximilian Kall, konfirmoi planet, por dha detaje të kufizuara.
“Gjithçka që mund të them është se po e koordinojmë me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Natyrisht, ka të bëjë me mbrojtjen e personelit që shkon atje dhe të sigurohet që ata të vendosen në mënyrë të sigurt”, u tha Kall gazetarëve në Berlin.
Kall konfirmoi një raport nga agjencia gjermane e lajmeve ‘dpa’, që thoshte se një vendim i kabinetit nga viti 2015 do të ndryshohet për të lejuar vendosjen e forcave të armatosura. Vendimi origjinal lejon vetëm vendosjen e rojeve kufitare të paarmatosura, por zyrtarët tani e konsiderojnë situatën aktuale të sigurisë shumë të rrezikshme për një qasje të tillë.
Vendosja e rojeve kufitare dhe zyrtarëve doganor gjermanë do të jetë pjesë e Misionit të Asistencës Kufitare të BE-së në Rafah (EUBAM Rafah), i cili do të rifillojë operacionet pas një ndërprerje 18-vjeçare.
I themeluar në vitin 2005 për të ndihmuar në monitorimin e kalimeve kufitare, misioni u pezullua në vitin 2007 pasi Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës, duke çuar në tërheqjen e personelit të BE-së për shkak të politikës së saj të mos bashkëpunimit me grupin.