Gjermania dhe Franca kërkojnë urgjent rifillimin e dialogut

Berlini dhe Parisi zyrtar po kërkojnë heqjen e të gjitha tarifave dhe rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Gjermania dhe Franca po kërkojnë me ngulm rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e  Bashkimit Evropian dhe heqjen e të gjitha tarifave.

Kështu shkruan gazeta serbe “Novisti”, transmeton lajmi.net.

Sipas këtij mediumi Gjermania dhe Franca presin zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur deri më tani në këtë proces.

Siç shkruan ky medium, të gjitha marrëveshjet që janë arritur që nga viti 2011 e deri më tani janë zbatuar në përpikëri nga ana e Serbisë, por jo edhe nga Kosova e cila përveç që nuk i ka zbatuar marrëveshjet ajo ka vendosur edhe taksë ndaj Serbisë.

Ky veprim i Kosovës ndaj Serbisë po cilësohet si dështim i BE-së sipas Milovan Drecun, kryetar i të ashtuquajturit Komision i Kuvendit serb për Kosovën.

“Gjermania ka një pozicion të ngurtë politik, dhe kjo është se përmes një marrëveshjeje juridikisht detyruese, duhet të njihet pavarësia e vetëshpallur e Kosovës, të cilën Serbia nuk do ta pranojë me asnjë kusht. Nëse Franca dhe Gjermania duan që dialogu të vazhdojë, atëherë duhet të krijohen kushte për këtë, domethënë, taksat duhet të hiqen pa kushte”, deklaroi Drecun, duke shtuar se, Serbia tani ka forcën dhe askush nuk mund t’i imponojë zgjidhje.

Ish-kreu i diplomacisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, Vladislav Jovanoviq, beson se Evropa po nxiton të pozicionohet në negociata, pasi që sipas tij, SHBA-ja tashmë është angazhuar me të dërguarin special për dialog, Richard Grenell dhe se Rusia i ka vënë shpresë Serbisë nëpërmjet ambasadorit të saj në Beograd.

“BE ka frikë se çështja e oborrit të brendshëm mund të zgjidhet nga të tjerët që nuk kanë ambicie që BE të bëhet një fuqi globale botërore. Sipas Brukselit, çështja tashmë ka mbaruar dhe Prishtina dhe Beogradi duhet ta pranojnë atë. Ata duan ta shtyjnë Serbinë të njohë situatën e re, dhe si kthim për të marrë një lehtësim”, theksoi Jovanoviq, transmeton më tutje lajmi.net.

“Vëzhgimi i barabartë i të dy palëve është diçka për të cilën insiston Brukseli, por nuk është një pamje e situatës reale. Ne jemi një vend, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të KB e njeh sovranitetin mbi provincën tonë jugore, dhe Kosova është një krahinë e vetëshpallur, renegate, pa pëlqimin e Serbisë dhe pa pranimin e më shumë se gjysmës së vendeve të botës”, thotë ai.

Sipas këtij mediumi, kohët e fundit, Gjermania ka qenë më e zëshme dhe më e fortë në mesazhet e saj për të arritur një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur, me një refuzim të qartë të çdo shkëmbimi territoresh, i cili, siç u spekulua, është një nga zgjidhjet e mundshme.

Ky qëndrim i Berlinit dyshohet se është në kundërshtim me pozicionin e administrimit të përfaqësuesit amerikan Donald Trump.