Gjermania e ka siguruar çerekfinalen në Kampionatin Evropian, pas fitores ndaj Danimarkës të shtunën mbrëma në Dortmund.
Gjermanët me ndihmën e madhe të tifozëve nga tribunat, arritën që t’i mposhtin danezët me rezultatin 2:0, në ndeshjen e 1/8 së finales.
Me të njëjtin rezultat, Zvicra e siguroi më herët çerekfinalen në fitoren ndaj Italisë.
Kai Havertz në minutën e 53-të dhe Jamal Musiala në minutën e 68-të, i shënuan golat e fitores për Gjermaninë, nikoqiren e Evropianit 2024.
Në këtë ballafaqim, Gjermanisë iu anuluan dy gola, kurse Danimarkës një.
Joachim Andersen ishte i pafat, pasi shënoi për Danimarkën dhe goli u anulua për pozitë jashtë loje, pas rishikimit të situatës në VAR.
Menjëherë në aksionin vijues, Andersen shkaktoi penallti. Nga 11 metra i pagabueshëm ishte Havertz që i dha epërsinë Gjermanisë.
Afro 20 minuta para fundit realizoi edhe Musiala për avancimin në çerekfinale.
Gjermania tani do të ballafaqohet me fituesen e ndeshjes Spanja – Gjeorgjia.
Ballafaqimi në Dortmund u suspendua në minutën e 35-të.
Të dyja ekipet u futën në tunel për shkak të kushteve të rënduara atmosferike.
Pati stuhi të fortë, intensitet të lartë të shiut, vetëtima e breshër.
Megjithatë, ndeshja rifilloi pas disa minutash.