Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjermania: Çdo su’lm kundër paqeruajtësve të OKB-së është shkelje e ligjit ndërkombëtar

Gjermania: Çdo su’lm kundër paqeruajtësve të OKB-së është shkelje e ligjit ndërkombëtar

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se çdo sulm i qëllimshëm kundër paqeruajtësve të Forcave të Përkohshme të Paqes së OKB-së në Liban (UNIFIL) është shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar, transmeton Anadolu.

Në deklaratën gjatë vizitës së saj në Liban, Baerbock lidhur me sulmet e Izraelit ndaj ushtarëve të UNIFIL-it tha: “Çdo sulm i qëllimshëm kundër paqeruajtësve të Forcave të Paqes së OKB-së është shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar”.

Duke përsëritur mbështetjen për ushtarët e UNIFIL-it, Baerbock tha: “Ata janë të nevojshëm për gjetjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin. Izraeli duhet të kryejë operacionet e tij brenda kufijve të vetëmbrojtjes dhe ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të mbrojë jetët e civilëve të pafajshëm”.

“Situata humanitare në Liban po bëhet çdo ditë e më e rëndë. Qindra mijëra njerëz po ikin me gjërat e tyre të fundit që u kanë mbetur. Fëmijët po ndahen nga prindërit e tyre, spitalet po punojnë në kufirin e kapacitetit të tyre. Libani është në prag të kolapsit”, thekson Baerbock.

Ajo tha se duhet të punohet me SHBA-në, partnerët e saj në Evropë dhe botën arabe për një zgjidhje të qëndrueshme diplomatike që mbron interesat legjitime të sigurisë së Izraelit dhe Libanit.

Shefja e diplomacisë gjermane tha se destabilizimi i plotë i vendit do të ishte fatal për shoqërinë me më shumë diversitet fetar nga të gjitha shtetet në Lindjen e Mesme si dhe për të gjithë rajonin.

“Çelësi i paqes qëndron në zbatimin e plotë të rezolutës 1701 të OKB-së ku dhe forcat e armatosura libaneze luajnë rol të rëndësishëm këtu. Në bisedimet që do të zhvilloj në Bejrut dhe më pas në konferencën e Libanit në Paris, dua të eksploroj se si mund të bëjmë përparim në këtë rrugë të vështirë dhe në të njëjtën kohë të ndihmojmë në zbutjen e vuajtjeve njerëzore”, potencoi Baerbock.

Exit mobile version