Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjermania bën thirrje për ndërprerjen e kon’fliktit në Ga’za

Gjermania bën thirrje për ndërprerjen e kon’fliktit në Ga’za

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock bëri thirrje për ndërprerjen e konfliktit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë për gazetarët në Luksemburg, ku ndodhet për takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE), Baerbock tha se sot në kuadër të vizitave në Lindjen e Mesme do të fillojë vizitat e saj në Izrael, Palestinë dhe Liban.

“Pamjet që vijnë nga Gaza dhe mendimet lidhur me pengjet që janë ende të rrëmbyer, të thyejnë zemrat. Për këtë arsye, për mua, për ne dhe partnerët tanë nuk është absolutisht një mundësi për të zhytur kokën në rërë”, tha Baerbock e cila shtoi se ka nevojë për ndërprerje humanitare të konfliktit në Gaza.

“Pengjet duhet të lirohen dhe dhimbja e palestinezëve duhet të marrë fund. Nëse palestinezët jetojnë në siguri është e qartë se edhe Izraeli mund të jetojë në siguri dhe ndërkohë që Izraeli do të jetë i sigurt është e qartë se edhe Palestina do të jetojë në siguri”, theksoi Baerbock.

Ajo i bëri thirrje Hamasit që për këtë arsye të miratojë planin e paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden. “Për ndërprerjen e konfliktit ka nevojë urgjente si asnjëherë më parë”, tha shefja e diplomacisë gjermane.

Baerbock potencoi se krahas Izraelit dhe Palestinës do të vizitojë edhe Libanin dhe se situata në “vijën e kaltër” që ndan Libanin dhe Izraelin në veri të Izraelit është shqetësuese.

Ministrja gjermane tha se rritja e mëtejshme e tensioneve “do të jetë katastrofë për të gjithë njerëzit në rajon” dhe se për këtë arsye është e rëndësishme të ndërpritet konflikti në Gaza.

Exit mobile version