Gjermania bën thirrje për ça’rmatimin e He’zbollahut dhe tërheqjen e ush’trisë iz’raelite nga Libani

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock ka bërë thirrje për çarmatimin e grupit libanez Hezbollah dhe tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Libani në përputhje me vendimet përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, transmeton Anadolu.

Duke folur për gazetarët në Paris para konferencës ndërkombëtare mbi ndihmën për Libanin, Baerbock tha se zbatimi i Rezolutës 1701 të OKB-së do të ishte mënyra më e mirë për të parandaluar destabilizimin e mëtejshëm të Libanit dhe për të garantuar sigurinë në veri të Izraelit.

“Në fakt, rezoluta 1701 e OKB-së sot është më e përshtatshme se kurrë më parë. Ajo thotë shumë qartë se Hezbollahu duhet të tërhiqet prapa lumit Litani, atje nuk mund të ketë milici të armatosur në Liban, Hezbollahu duhet të çarmatoset. Dhe, rezoluta thotë shumë qartë, ushtria izraelite duhet të tërhiqet nga Libani”, theksoi Baerbock.

Më tej, shefja e diplomacisë gjermane njoftoi se në takimin në Paris do të vazhdojnë të punojnë intensivisht me partnerët ndërkombëtarë për mënyrën se si mund të zbatohet Rezoluta 1701 e OKB-së.

“Shpresojmë se më në fund do të garantojë sigurinë për Izraelin, njerëzit në veri të Izraelit dhe sigurinë për njerëzit në jug të Libanit. Ne do të diskutojmë sigurimin e më shumë ndihmës humanitare”, tha Baerbock, duke iu referuar zbatimit të Rezolutës 1701 të OKB-së.

Ajo gjithashtu tha se Gjermania ka vendosur të ndajë 96 milionë euro shtesë në ndihmë humanitare dhe zhvillimore për Libanin.