Gjermania bën thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar për mbrojtjen e klimës globale

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock bëri thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar për mbrojtjen e klimës globale, transmeton Anadolu.

Baerbock mbajti një fjalim në Asamblenë Federale në seancën lidhur me Konferencën e 29-të të Palëve të Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP29) në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.

Ajo tha se 2023-ta është viti i dytë më i nxehtë i regjistruar në mbarë botën dhe se vetëm në Evropë kanë ndodhur 13 miliardë euro dëme për shkak të ngjarjeve ekstreme klimatike, përmbytjeve dhe stuhive. Baerbock vuri në dukje se është e nevojshme të merren nën kontroll pasojat e krizës klimatike për të ruajtur jetën më të mirë të mundshme në prosperitet, siguri dhe paqe në planet dhe se koha për këtë po mbaron.

Duke theksuar se “gjëra të pabesueshme mund të arrihen nëse bota është e fortë pavarësisht nga të gjitha dallimet” në lidhje me mbrojtjen e klimës globale, Baerbock shtoi se “Mbrojtja e klimës në të njëjtën kohë është tregues se çfarë mund të arrijmë ne së bashku në botë”.

Shefja e diplomacisë gjermane tha se deri më tani janë arritur edhe suksese. “Një vit më parë, në konferencën e klimës të mbajtur në një vend të Gjirit vendosëm që të fillonte fundi i epokës së fosileve dhe se investimi e së ardhmes në këtë planet do të jetë energjia e rinovueshme. Kjo është e mundur dhe mund të arrihet nëse ne punojmë së bashku në arenën ndërkombëtare në çështjet e mbrojtjes së klimës, politikën e sigurisë dhe politikën e zgjuar ekonomike”, tha Baerbock.

Ajo potencoi se Evropa duhet të punojë më shumë për të mbrojtur klimën nëse SHBA-ja tërhiqet nga kjo fushë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz planifikoi të shkonte në Baku për të marrë pjesë në COP29, por e anuloi këtë vizitë për shkak të krizës qeveritare në vend.

Në COP29, një nga organizatat më të rëndësishme në mbarë botën ku diskutohen çështjet e ndryshimeve klimatike marrin pjesë 72 mijë njerëz nga 169 vende.