Gjermania arrin kuotën 60% të vaksinimit të popullsisë

Jens Spahn

Ministria e Shëndetësisë në Gjermani e publikoi shifrën të shtunën. Më shumë se 50 milionë gjermanë e kanë marrë ndërkohë dozën e dytë të vaksinimit.

Më shumë se 60% e njerëzve në Gjermani janë të vaksinuar plotësisht kundër virusit Corona. Dozën e dytë të vaksinës e kanë marrë afërsisht 50 milionë vetë në Gjermani, që do të thotë 60,1% e popullsisë. Njoftimi erdhi nga Ministria e Shëndetësisë në Gjermani të shtunën. Kurse 65% ose 54 milionë vetë janë vaksinuar të paktën një herë.

Kuota e vaksinimit ndryshon sipas landeve. Në Bremen për shembull janë vaksinuar më shumë se 74% e qytetarëve. Kurse në Saksoni kjo kuotë është më e ulët, rreth 54% e qytetarëve janë vaksinuar në këtë land njëherë, 51,4% dy herë. “Çdo vaksinë na ndihmon që ta kalojmë së bashku me shëndet të mirë vjeshtën dhe dimrin”, shkroi ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn (CDU) në twitter. /dw