Norma vjetore e inflacionit të Gjermanisë u rrit 7,9 për qind në maj krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar
Inflacioni vjetor në Gjermani u rrit me 7,9 për qind në maj, nga i njëjti muaj i vitit të kaluar, njoftoi sot Enti Federal i Statistikave (Destatis), transmeton Anadolu Agency (AA).
Ndërsa shifra ishte në përputhje me vlerësimin e tregut, çmimet e konsumit në bazë vjetore u rritën me 7,4 për qind në prill. Në bazë mujore, çmimet e konsumit u rritën me 0,9 për qind në muajin maj, krahasuar me një muaj më parë.
Kjo shifër e fundit e inflacionit shënoi rritjen më të lartë vjetore të çmimeve të konsumit që nga viti 1974.
“Kështu norma e inflacionit arriti në nivelin më të lartë historik për të tretin muaj radhazi që nga ribashkimi i Gjermanisë”, tha në një deklaratë presidenti i Destatis, Georg Thiel.
“Arsyeja kryesore për inflacionin e lartë vazhdon të jetë rritja e çmimeve të produkteve energjetike. Por ne shohim rritje të çmimeve edhe për shumë mallra të tjera, veçanërisht ushqime”, tha Thiel.
“Një normë e ngjashme e lartë e inflacionit u regjistrua për herë të fundit në territorin e mëparshëm të Republikës Federale në dimrin 1973/1974 kur çmimet e naftës ishin rritur ndjeshëm si pasojë e krizës së parë të naftës”, shtoi ai.
Në maj, çmimet e produkteve të energjisë ishin 38,3 për qind më të larta krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, pasi në muajin prill shënuan një rritje vjetore prej 35,3 për qind, sipas Destatis.
Ndërsa çmimi i naftës për ngrohje u rrit me 94,8 për qind në bazë vjetore në maj, çmimet e gazit natyror u rritën me 55,2 për qind dhe çmimet e karburantit motorik u rritën me 41 për qind. /aa