Gjermani, rastet me COVID-19 tejkalojnë shifrën prej 100.000 persona

Rastet e konfirmuara të koronavirusit të ri(COVID-19) në Gjermani të hënën kanë tejkaluar 100,000, sipas shifrave të lëshuara nga autoritetet lokale, raporton Anadolu Agency (AA). 

Firma e analizës së të dhënave Risklayer dhe Instituti i Teknologjisë Karlsruhe, e cila përpiloi shifrat në kohë reale nga afër 400 autoritete lokale shëndetësore, të hënën në mëngjes raportoi 4,024 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar totalin në 100.132. 

Autoritetet regjistruan 138 vdekje më shumë nga koronavirus në 24 orët e fundit, duke rritur numrin e vdekjeve në 1.584. 

Gjermania aktualisht ka numrin e katërt më të lartë të rasteve nga koronavirusi në botë, pas SHBA-ve, Spanjës dhe Italisë, por numri i të vdekurve mbetet shumë më i ulët se tre vendet më të goditura. 

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Itali të dielën tejkaloi 15.800, më i larti në nivel global. Spanja ka regjistruar 12.418 vdekje deri më tani. Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri të dielën arritën shifrën e vdekjeve në 8,503. 

Pasi u shfaq për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën dhe bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me bazë në SHBA numri i të vdekurve nga ky virus është mbi 67 mijë, ndërsa numri i të infektuarve mbi 1.2 milionë.