Ai erdhi në Kosovë në vitin 1998 për t’iu bashkuar UÇK-së, por tani gjendja e tij është e rëndë. Kargus Karlhenz ka krijuar familje në Kosovë, ku ka bashkëshorten shqiptare dhe një djalë.
Shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbetur në gjendje të rëndë, por ka edhe shumë të tjerë që erdhën nga vendet e tjera për të ndihmuar luftën çlirimtare.
I tillë është rasti edhe i gjermanit Kargus Karlhenz (Heinz). Ai në vitin 1998 erdhi vullnetarisht në Kosovë për t’iu bashkuar UÇK-së, raporton albinfo.ch.
Heinz, siç e thërrasin të gjithë, që nga ajo kohë jeton në Kosovë dhe ka krijuar familje. Ai ka bashkëshorten shqiptare dhe një djalë 13-vjeçar. Ai jeton në Ferizaj dhe punon në FSK.
Por, siç njofton Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” ai nuk është kthyer asnjëherë në Gjermani dhe jeton në gjendje të rëndë. “Në Kosovë ka nevojë urgjente që ta ketë edhe ky një strehim bashkë me familjen e tij.
Ka vite që ky i nderuar jeton herë në një shtëpi dhe herë në tjetrën shtëpi me qira. Ne e kemi vizituar dhe i kemi pa kushtet e rënda ku jeton.
Ne mendojmë që kjo është më e pakta ndihmë që mund ta bëjmë për Hansin dhe familjen e tij, andaj edhe presim nga bamirësit që të na bashkohen që t’ia sigurojmë një strehim të përhershëm”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate./Mesazhi/