Gjermani, problemet teknike vështirësojnë funksionimin e aeroporteve

Aeroportet e Gjermanisë po përjetojnë ndërprerje të konsiderueshme për shkak të një dështimi në sistemet kompjuterike të policisë federale, me pasoja të mëdha për kontrollet kufitare, transmeton Anadolu.

Një zëdhënës i policisë federale konfirmoi çështjet teknike, të cilat po prekin sistemet e përdorura për të përpunuar hyrjen e pasagjerëve në vend, njoftoi gazeta BILD me qendër në Berlin.

Në aeroportin e Frankfurtit, zëdhënësi shpjegoi se zyrtarët tani po kryejnë manualisht detyra që zakonisht do të bëheshin nga sistemet e automatizuara.

Shkaku i dështimit të sistemit ende nuk është identifikuar.

Ndërkohë, raportet nga aeroporti i Dyseldorfit tregojnë për radhë të gjata në pikat e kontrollit të sigurisë, me disa pasagjerë që presin deri në dy orë. Aeroporti deklaroi se hyrja nga jashtë zonës Shengen aktualisht është e pamundur, duke e komplikuar më tej udhëtimin për pasagjerët ndërkombëtarë.

Në aeroportin e Mynihut, vonesat janë të vogla, megjithëse policia federale u përball me çështje teknike të vazhdueshme. Në Berlin, pasagjerët po përballen me kohë pak më të gjata pritjeje për hyrje, por nuk ka ndalime të hyrjes, sipas një zëdhënësi të aeroportit.

Ndërkohë, Aeroporti i Hamburgut nuk raportoi asnjë radhë të konsiderueshme dhe deklaroi se dështimi teknik nuk ka ndikuar në trafikun ajror atje.