Gjermani, pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve rriten sulmet kundër të huajve

Pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve ka patur një rritje të sulmeve ndaj të huajve në Magdeburg të Gjermanisë, transmeton Anadolu.

Në deklaratën nga Qendra Këshillimore për Parandalimin e Dhunës (SALAM) dhe Organizatat e Migrantëve Saksoni-Anhalt (Lamsa), thuhet se pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve ka patur rritje të ndjeshme të rasteve të poshtërimit dhe sulmeve ndaj të huajve në qytet.

Pas sulmeve në qytet është krijuar një atmosferë jashtëzakonisht armiqësore për personat me origjinë emigrante. “Në shumë vende kanë ndodhur sulme verbale dhe fizike. Emigrantët e klasifikuar si muslimanë janë fyer duke u quajtur ‘terroristë’, ‘kriminelë’ dhe ‘huliganë’ ndërsa janë pështyrë dhe shtyrë”, thuhet në deklaratën e Qendrës.

Theksohet se ekstremistët e djathtë kanë ndjekur shumë emigrantë në Magdeburg të dielën si dhe kanë sulmuar, kërcënuar dhe ofenduar punonjësit dhe anëtarët e shoqatës.

– Ngjarja

Më 20 dhjetor, 5 persona humbën jetën dhe më shumë se 200 të tjerë u plagosën në një sulm me automjet në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, në rajonin Saksoni-Anhalt në Gjermani.

Më pas u mësua se mjeku me origjinë nga Arabia Saudite, Talib A. i cili u arrestua pas sulmit, ishte anti-islamist, mbështetës i së djathtës ekstreme dhe sionizmit.