Gjermani, nga “bomba” e Luftës së Dytë Botërore evakuohen 54.000 banorë

FRANKFURT (AA) – Mbi 54.000 banorë të qytetit gjerman të Augsburgut, mëngjesin e sotëm kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe do të mbeten jashtë derisa të përfundojë deaktivizimi i një bombe të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore, e rëndë 1.8 ton, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga shkaku i detonimit të bombës është mbyllur edhe katedralja e vjetër e qytetit e cila daton nga mesjeta, ndërkohë që është mbyllur edhe godina e administratës së qytetit.

Për ata banorë që nuk kanë një vend për të qëndruar, autoritetet kanë hapur shkollën e cila gjendet aty pranë. Gjithashtu, policia tha se në shkollë mund të strehohen edhe kafshët shtëpiake, ndërkohë që transporti publik sot do të jetë falas.

Evakuimi i sotëm në Augsburg është më i madhi deri më tani, madje më i madh se evakuimi i 45.000 njerëzve gjatë detonimit të një bombe në Koblenz në vitin 2011.

Në Gjermani, nuk është e rrallë që autoritetet të zbulojnë bomba të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.

Augsburgu pësoi rëndë në datat 25 dhe 26 shkurt të vitit 1944, atëherë kur qyteti u sulmua nga qindra bombardues britanikë dhe amerikanë.