Gjermani, largohen nga detyra 3 policët që ushtruan dhunë ndaj të riut gjatë arrestimit

Tre policë gjermanë të cilët ushtruan dhunë ndaj një personi gjatë arrestimit në Frankfurt janë larguar nga detyra, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, policia e Frankfurtit tha se ka shqyrtuar pamjet që tregojnë arrestimin e një personi 29-vjeçar

Në deklaratë thuhet se sjelljet e policëve gjatë arrestimit vërehen qartazi dhe se pas analizave, ndaj dy policëve është nisur hetim disiplinor.

Ndërkaq, ndaj policit të tretë, hetimi disiplinor është nisur gjatë ditës së djeshme, tha policia, duke shtuar se të tre pjesëtarët tashmë janë larguar nga detyra.

Javën e kaluar, një video në mediat sociale tregonte policinë teksa po ndërhynte ndaj një grupi personash që kishin konsumuar alkool dhe goditi një person i cili ishte shtrirë në tokë me pranga dhe më pas u dërgua në automjetin e policisë.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Björn Grünewaelder, në një konferencë shtypi në Berlin, foli në lidhje me pamjet që shfaqen në mediat sociale në lidhje me përdorimin e tepruar të dhunës nga policia në qytete të ndryshme të vendit.

Grünewaelder tha se ka rreth 300.000 oficerë policie në Gjermani që e kryejnë punën e tyre mirë, zbatojnë ligjin, veprojnë brenda kompetencave dhe veprojnë proporcionalisht për të mbrojtur sigurinë e secilit, me disa përjashtime.

Duke thënë se ngjarjet e publikuara në mediat sociale ditët e fundit duhet të trajtohen me kujdes, Grünewaelder argumentoi se nuk mund të nxirren përgjithësime nga një video të shkurtër dhe që ndoshta edhe nuk ka zë.

Grünewaelder deklaroi se incidentet duhet të ekzaminohen në vendin e ngjarjes dhe se kjo është ajo që është bërë nga autoritetet, duke shtuar se ndaj policëve kryhen hetime disiplinore në raste dyshimi.

Më herët, në dy ngjarje të veçanta në qytetet Hamburg dhe Mülheim an der Ruhr, policia përdori forcë joproporcionale ndaj dy të rinjve turq.