Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjermani: Dhoma e ulët miraton ndryshimet kushtetuese për shpenzime masive të mbrojtjes

Gjermani: Dhoma e ulët miraton ndryshimet kushtetuese për shpenzime masive të mbrojtjes

Dhoma e Ulët e Parlamentit të Gjermanisë miratoi sot ndryshimet kushtetuese për të mundësuar fonde të konsiderueshme për mbrojtjen dhe infrastrukturën, raporton Anadolu.

Ndryshimet, të propozuara nga Kristiandemokratët dhe partneri i tyre i mundshëm i koalicionit, Socialdemokratët, u miratuan në Bundestag me 513 vota pro dhe 207 kundër, duke arritur ngushtë shumicën e kërkuar prej dy të tretave.

Sipas këtyre ndryshimeve, rregullat strikte fiskale të Gjermanisë do të lehtësohen, duke lejuar huamarrjen për shpenzime kritike të mbrojtjes, forcimin e shërbimeve të inteligjencës, mbrojtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe ndihmën e shteteve të sulmuara në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Shpenzimet në këto kategori që tejkalojnë 1 për qind të PBB-së së Gjermanisë do të përjashtohen nga rregulli kushtetues i “frenimit të borxhit”. Më parë, ligji bazë i vendit kufizonte huamarrjen e qeverisë në 0,35 për qind të PBB-së.

Një masë tjetër e miratuar krijon një fond special prej 500 miliardë eurosh për investimet në infrastrukturë dhe mbrojtjen e klimës. Nga kjo shumë, 100 miliardë euro do t’u ndahen shteteve federale për investime në infrastrukturë, ndërsa 100 miliardë euro të tjera do të caktohen për mbrojtjen e klimës.

Pas votimit të sotëm, ndryshimet duhet të miratohen ende nga Bundesrat, dhoma e lartë e parlamentit gjerman, për të hyrë në fuqi. Miratimi pritet gjerësisht të premten, pasi të Gjelbërit, së bashku me Kristiandemokratët e qendrës së djathtë dhe Socialdemokratët e qendrës së majtë, kanë shprehur tashmë mbështetjen e tyre për propozimet.

Exit mobile version