Gjermani, burg të përjetshëm për pjesëtaren e grupit neonazist NSU

Gjykata në Mynih ka shpallur fajtore të akuzuarën kryesore të grupit neonazist NSU për vrasjen e 10 personave, në periudhën 2000-2007, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjykatësit sot dënuan të akuzuarën kryesore Beate Zschaepe me burgim të përjetshëm për vrasjen e 10 personave.

Gjykata po ashtu shpalli dhjetë vite burgim për Ralf Wohlleben, dy vite e gjysmë për Andre Emminger dhe tre vite për Holger G., për ofrim ndihme dhe strehimi për grupin terrorist NSU. Ndërkaq, Carsten S., i cili pranoi veprën, u dënua me tre vite burgim.

Grupi neonazist NSU është akuzuar për vrasjen e 8 emigrantëve turq, një shtetasi grek dhe të një policeje gjermane në mes viteve 2000 dhe 2007. Të gjitha vrasjet një kohë të gjatë ishin të pazgjidhura.

Grupi u zbulua në vitin 2011, kur pjesëtarët e grupit Uwe Mundlos dhe Uwe Bohnhardt vdiqën pas përpjekjes së pasuksessshme të plaçkitjes të bankës. Policia gjeti armë dhe materiale neonaziste në apartamentin e tyre.

Anëtarja e tretë Beate Zschaepe ka mohuar akuzat për vrasje duke u përpjekur që fajin t’ia hedhë dy miqve të saj të NSU-së.

Skandali i shkaktuar nga NSU, ka nxitur kritika të gjera në adresë të agjencive gjermane të sigurisë, duke u akuzuar nga partitë opozitare se tolerojnë ekstremistët djathtistë dhe se nuk arrijnë të parandalojnë dhunën ndaj emigrantëve.

Deri në vitin 2011, policia dhe inteligjenca gjermane kanë hedhur poshtë çdo motiv racor të vrasjeve. Në vend të kësaj, ato trajtonin familjet e emigrantëve si të dyshuara, duke i marrë në pyetje me pretendimet për lidhje me krimin e organizuar dhe drogat.

Zbulimet e kohëve të fundit tregojnë se shërbimi gjerman i kundërzbulimit BfV deri në fund të vitit 1990 kishte dhjetra informacione që kishin të bënin me të dyshuarit e NSU-së, por ata këmbëngulnin se nuk kishin njohuri për grupin neonazist NSU dhe për rolin e saj në vrasjet e dyshimta.

Shumë çështje rreth vrasjeve kanë mbetur të pazgjidhura, pasi që dhjetra dosje sekrete të cilat i përkisnin inteligjencës u shatërruan me shpejtësi pas vdekjes të Mundlos dhe Bohnhardt në vitin 2011.