Një autobus i mbushur me nxënës shkolle rrëzohet në Gjermani dhe shqiptari ndërhyn për të shpëtuar jetën e të vegjëlve. Ngjarja ka ndodhur në Butjadingen të Gjermanisë, ku “Nwzonline.de” shkruan se Avni Mehana, 47 vjeç, ishte së bashku me djalin e tij në autobus dhe ai ishte i vetmi i rritur përveç shoferit.
Në momentin që autobusi ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një gropë, Mehana ka thyer dritaren dhe i ka ndihmuar fëmijët të shpëtojnë, teksa uji kishte filluar të hynte brenda.
Mediat gjermane shkruajnë se aksidenti ka ndodhur në fshatin ndërmjet Langwarden dhe Ruhwarden, ku një autobus me 15 nxënës të një shkolle fillore ka pësuar aksident, si pasojë e erës.
Ndërkohë policia vendase është shprehur se, “fatmirësisht askush nuk është lënduar, por fëmijët janë tronditur”. Pas aksidentit fëmijët janë shoqëruar nga prindërit e tyre, ndërsa për të nxjerrë autobusin nga vendi i ngjarjes është dashur rreth tre orë.