Ministrat gjerman kanë aprovuar një projekt ligj i cili ka për qëllim të zhdukë problemin gjithnjë në rritje të urrejtjes kibernetike dhe informacioneve nga bota e krimit në websajte.
Legjislacioni ende do të kaloj nëpër debate parlamentare, por gjithsesi propozon dënime deri në 50 milion euro ndaj sajteve të mediave sociale, të cilat vazhdimisht po dështojnë në largimin e përmbajtjeve të dëmshme.
Në anën tjetër, kompanitë e internetit insistojnë se është e pamundur që të kontrollohet sasia e madhe e teksteve dhe imazheve që postohet në websajte, ndërsa ka prej tyre që thonë se nuk është punë e tyre të vendosin politika të përmbajtjes.
Muajin e kaluar, Gjermania u bë kryelajm kur një gjykatë ktheu mbrapsht një kërkesë që kishte qëllim të ndalonte keqpërdorimin e një selfieje të shkrepur nga një refugjat sirian.
Në këtë rast, Anas Modami kishte bërë një selfie me Kancelaren Angela Merkel, foto kjo që ishte keqpërdorur disa herë në internet, duke e identifikuar atë gabimisht si “person të lidhur me terrorizmin”. /MESAZHI/