Çamëria është një krahinë gjeografike dhe etnografike në pjesën më jugore të trevave të banuara prej shqiptarëve, që shtrihet përgjatë bregdetit të Detit Jon dhe qendrat kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Lura, Margëllëçi, Arta, Paramithia, Parga dhe Preveza. Emri Çamëri e çam lidhet me emrin antik të lumit Thyamis (Thiamis), sot Kalama.
Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë), Çamëria ka qenë e banuar që në antikitet nga fiset ilire, ndërsa në periudhën osmane njihet si pjesë e Vilajetit të Janinës deri në vitin 1912.
Me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913, pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, ndërsa brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën disa fshatra me popullsi muslimane dhe ortodokse dhe pikërisht pas këtij vendimi do të fillonte tragjedia për popullatën çame.
Më 27 qershor të këtij viti përkujtohet 76-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj kjo ditë është “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, shkruan Anadolu Agency (AA).
Këtë vit slogani dhe mesazhi për aktivitetet përkujtimore për gjenocidin është “Mos e harro Çamërinë”, që sipas përfaqësuesve të komunitetit çam u drejtohet Qeverisë së Greqisë dhe popullit grek, gjithashtu edhe Qeverisë së Shqipërisë për përkujtimin e 27 qershorit dhe për zgjidhjen e çështjes çame.
Gjenocidi dhe persekutimi ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Pasi pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha shtetit grek, filluan edhe masakrat dhe presionet e ndryshme ndaj popullatës çame me qëllim spastrimin etnik dhe largimin me forcë nga trojet e tyre.
Popullsia çame për disa dekada u përndoq dhe masakrua, me masakra të cilat filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre, ndërkohë që sot ende kjo plagë është e hapur.
Gjenocidi grek ndaj popullsisë çame është i dokumentuar në dokumente arkivore të disa arkivave të vendeve evropiane, por edhe rrëfehet ende në ditët e sotme nga shumë shqiptarë të Çamërisë që e kanë përjetuar dhe kanë qenë dëshmitarë të masakrave, ku edhe vetë historianë çamë kanë dokumentuar dhe rrëfyer gjenocidin e egër ndaj tyre.
Vetë shqiptarët e Çamërisë që kanë përjetuar gjenocidin, ende në ditët e sotme i kanë të freskëta masakrat, të cilat sipas tyre nuk kursyen as fëmijët dhe as gratë shtatzëna. U masakruan me armë të ftohta, me varje, zjarr, ndërsa bilancin e viktimave e rënduan edhe vdekjet nga kushtet e këqija të jetesës, uria dhe vështirësitë gjatë shpërnguljes.
Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.
Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë muslimanë të Çamërisë që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë. Për të ndihmuar refugjatët çamë, u angazhuan edhe institucionet ndërkombëtare, duke ngritur kampe në Shqipëri, siç ishte kampi në Kavajë.
Të ndodhur përballë gjenocidit, shqiptarët e Çamërisë u larguan nga vatrat e tyre, duke u vendosur kryesisht në Shqipëri, dhe vende të tjera, ndërsa një numër i madh i pjesëtarëve të këtij komunitet ndërtuan jetën e tyre në emigrim në disa shtete të botës, si në Turqi, Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Itali dhe disa vende të tjera evropiane.
Shqiptarët e Çamërisë pas gjenocidit u vendosën në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke filluar që nga jugu i vendit, si në Sarandë, Konispol, pastaj në Shqipërinë e Mesme, Tiranë, Elbasan, si dhe në Fier, Lushnje dhe Kavajë.
Persekutimi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nuk përfundoi me gjenocidin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi edhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri pjesëtarët e këtij komuniteti u përndoqën dhe u dënuan për motive të ndryshme, përfshirë edhe ato politike.
Organizatat dhe partitë që mbrojnë të drejtat e popullsisë çame, por edhe dokumentet e ndryshme arkivore të shtetit shqiptar tregojnë për persekutimin e pjesëtarëve të komunitetit çam nga regjimi komunist, ku qindra familje të shqiptarëve të Çamërisë janë përndjekur dhe persekutuar në mënyrë sistematike dhe dhjetëra personalitete me origjinë çame janë ekzekutuar.
Çështja çame në Shqipëri
Përveç persekutimit ndaj personaliteteve me origjine çame, çështja e Çamërisë gjatë komunizmit në Shqipëri (1944-1991) mbeti në heshtje. Heshtja mbi 45-vjeçare mbi çështjen çame gjatë sistemit komunist do të përfundonte me rënien e regjimit, ku komuniteti i shqiptarëve të Çamërisë u riorganizua në shoqata, parti politike dhe grupime të tjera, për të unifikuar qëndrimet dhe kërkesat në lidhje me kauzën e tyre.
Çështja çame në tri dekadat e fundit arriti të kombëtarizohet, por edhe të trajtohet nga përfaqësuesit e këtij komuniteti edhe në organizma ndërkombëtare.
Pjesëtarët e këtij komuniteti që jetonin në Shqipëri, që kishin ruajtur kulturën, traditat dhe fenë e tyre, historinë, krijuan fillimisht në vitin 1991 Shoqatën Patriotike “Çamëria”, e cila në vitet e para të tranzicionit, por edhe në vijim u angazhua për ruajtjen e kulturës, historisë dhe traditave të çamëve.
Shqiptarët e Çamërisë i kushtuan rëndësi edhe përfaqësimit politik, ku aktualisht vepron Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), ku përfaqësuesit e saj kanë pasur edhe poste të rëndësishme në institucionet e shtetit shqiptar. Ajo publikisht dhe zyrtarisht shprehet se është “Partia e kauzave kombëtare dhe çështjes çame”.
Kështu, zhvillimet gjatë tranzicionit në Shqipëri në lidhje me çështjen çame ishin të karakterit legjislativ, politik dhe përkujtimor, ku ndër më kryesoret mund të përmendim vendimin e Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1994 për të miratuar ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.
Kuvendi i Shqipërisë gjithashtu më 8 prill 2004 miratoi edhe një rezolutë për “çështjen çame”, e cila hyri në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare nëntë vite pas miratimit, ku ndër të tjera në kohën e miratimit të saj vlerësonte se është koha që çështja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dy palët (Shqipëria dhe Greqia).
Rezoluta e cila është në fuqi ngarkon Qeverinë e Republikës së Shqipërisë që këtë rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit.
Gjithashtu me anë të saj, i kërkohet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të shtojë më tej përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe pasurive të tjera të patjetërsueshme të popullsisë çame, në përputhje me dokumentet e njohura ndërkombëtare.
Po ashtu, rezoluta i kërkon Qeverisë së Shqipërisë që nëpërmjet grupeve të posaçme të punës të bashkëpunojë me palën greke dhe të përshpejtojë fillimin e negociatave me qeverinë greke për zgjidhjen e këtij problemi.
Një moment tjetër i rëndësishëm për kauzën çame sidomos në aspektin e përkujtimit të viktimave të gjenocidit, është edhe ndërtimi i “Varrezave Monumentale për Shqiptarët e Çamërisë”, në Sarandë, ku për çdo vit në muajin qershor organizohen marshime-pelegrinazhi për të përkujtuar shqiptarët që humbën jetën gjatë gjenocidit dhe vuajtjeve pas shpërnguljeve nga tokat e tyre. Përfaqësuesit e këtij komuniteti kërkojnë që këto varreza të shpallen zyrtarisht varreza monumentale që të ketë ceremonial shtetëror për ceremonitë përkujtimore të homazheve.
Çështja çame u përfshi edhe në programin e Qeverisë së Shqipërisë disa vite më parë. Në programin e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, gjatë mandatit të parë qeverisës (2013-2017), thuhej se “Ne (Qeveria e Shqipërisë) do të synojmë trajtimin e çështjes çame në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.”
Edhe pse kanë kaluar dekada nga masakrat ndaj popullsisë çame, tragjedia çame është ende një plagë e hapur, pasi pjesëtarët e këtij komuniteti nuk mund të kthehen në tokat e paraardhësve të tyre, por shumë prej tyre nuk kanë varr për të kujtuar të afërmit e tyre.
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Çamërisë, por edhe të tjerë të organizuar në shoqata dhe grupime të ndryshme, kanë kërkuar ndër vite, por edhe kërkojnë ende që politika në Shqipëri dhe veçanërisht institucionet e shtetit shqiptar të unifikojnë qëndrimin e tyre për zgjidhjen e çështjes çame.
Nga ana tjetër pritet me interes nga shqiptarët e Çamërisë, por edhe me gjerë nëse në marrëveshjet për çështjet e hapura mes Greqisë dhe Shqipërisë, do të përfshihet edhe çështja çame, pasi shteti shqiptar obligohet në mbrojtjen e të drejtave të tyre, sidomos pas insistimit të përfaqësuesve të çamëve që në negociatat mes dy vendeve të përfshihet edhe zgjidhja e çështjes çame.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) që mbron të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë ka insistuar vitet e fundit që pjesë e bisedimeve Shqipëri-Greqi të jetë edhe zgjidhja e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.
Edhe në ditët e sotme, kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë janë ato të lëvizjes së lirë, të gëzimit të pronave të tyre dhe të njohjes dhe pranimit të gjenocidit, që mbetet një plagë e hapur edhe sot, pasi as ata që lindën në Çamëri, por edhe pasardhësit e tyre nuk mund t’i vizitojnë trojet e të parëve.
Pelegrinazhet, ekspozitat, aktivitetet përkujtimore dhe të tjera janë pjesë e “Javës Çame” që organizohet çdo vit në muajin qershor, ku synohet të sillen në vëmendje vuajtjet dhe të mos harrohet gjenocidi, por edhe të ruhet dhe transmetohet kultura çame në Shqipëri dhe më gjerë.