Gjeniu i vështirë

Salajdin Salhu

Veprën letrare të Kadaresë tentojnë ta mohojnë ata që nuk kanë lexuar asnjë libër të tij, por flasin për gjithçka me kompetencë të frikshme; ata që një fjali nuk e shkruajnë pa gabime gjuhësore; ata që shkrimtarin e konsiderojnë si shenjt, misionar, edukues të popullit dhe padrejtësisht i kërkojnë shkrimtarit përgjigje për gjithçka. Këta jetën e një shkrimtari e shohin të pandarë nga vepra letrare e tij. Nëse nisim sipas këtij “rregulli”, atëherë nga fondi i letërsisë botërore duhet të përjashtohen kryeveprat.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Nga çasti kur shkrimtari shkon të pushojë në paqe, krijohet mundësia që vepra e tij të rivlerësohet me paanësi dhe më shumë të flitet për veprën letrare sesa për jetën e shkrimtarit.

Njerëzit e shquar, siç tha Noli për figurat e rëndësishme historike, kalojnë në tri faza: atë të glorifikimit, asgjësimit dhe rivlerësimit.

Kadareja është “glorifikuar” dhe “asgjësuar”. Vepra e tij tani e tutje do të rivlerësohet pa ngarkesa të natyrës jashtëletrare.

Literariteti

Vepra letrare vlerësohet me kritere artistike, pra duke u nisur nga literariteti. Sipas përkufizimit themelor, literariteti merret me veçantitë dhe vlerat e teksteve ose veprave letrare.

Nëse e kemi kulturën dhe kompetencën e duhur dhe nëse veprën e Kadaresë e vlerësojmë duke u nisur nga literariteti, arrijmë në përfundimin se ajo është gjeniale, kurse Kadareja është shkrimtar i përmasave botërore.

Këtë s’e themi pse autori është shqiptar dhe as për ta kënaqur sedrën kombëtare. Këtë e kanë thënë shumë shkrimtarë dhe studiues botërorë, të cilët nuk marrin leje nga askush derisa e vlerësojnë krijimtarinë letrare të një shkrimtari. Atyre nuk u interesojnë marrëzitë tona. Ata nuk e vlerësojnë letërsinë me kritere etnike, politike, ideologjike apo patriotike, por vetëm me kritere artistike. Se nëse letërsia do të vlerësohej me kritere etnike, etike, sociologjike, patriotike dhe provinciale, atëherë më e vlefshme do të ishte një vjershë patetike ku përmenden heronjtë kombëtarë sesa një vepër gjeniale e ndonjë autori joshqiptar.

Në mjedisin tonë seç ka rënë një epidemi e çuditshme. Secili flet me kompetencë të frikshme për gjithçka. Secili është bërë kritik letrar, studiues letërsie, etnolog, etimolog, gjuhëtar, sociolog, pedagog, teolog, misionar, matematikan, mjek, antropolog, historian. Shkurtimisht: gjithollog.

Veprën letrare të Kadaresë tentojnë ta mohojnë ata që nuk kanë lexuar asnjë libër të tij, por flasin për gjithçka me kompetencë të frikshme; ata që një fjali nuk e shkruajnë pa gabime gjuhësore; ata që shkrimtarin e konsiderojnë si shenjt, misionar, edukues të popullit dhe padrejtësisht i kërkojnë shkrimtarit përgjigje për gjithçka. Këta jetën e një shkrimtari e shohin të pandarë nga vepra letrare e tij. Nëse nisim sipas këtij “rregulli”, atëherë nga fondi i letërsisë botërore duhet të përjashtohen kryeveprat.

Kundër veprës së Kadaresë më së shpeshti shkruajnë disa qenie meskine, që shkrimtarin e akuzojnë edhe për tradhti kombëtare. Pra, pikërisht shkrimtarin që e lartësoi, si askush tjetër, gjuhën shqipe; që dëshmoi se kjo gjuhë ka aftësi shprehëse të pakufishme; se nëpërmjet saj mund të krijohet letërsi e përbotshme. Këta e ngatërrojnë letërsinë me atdhedashurinë. Faik Konica, që kishte kulturë të gjerë, tha se letërsia dhe atdhedashuria janë gjëra të ndryshme.

Këta e thyen edhe kodin e njerëzve të fisëm: të mos flasim keq për të vdekurin. Ndoshta nuk kanë thyer asnjë kod etike. Kadareja nuk ka vdekur.

“Shkrimtari është disa jetësh, në çaste të rënda të tij ato me sa duket këmbejnë njëra tjetrën. Siç këmbejnë kuajt korrierët e dikurshëm. Shkrimtari jeton, ecën kalëron midis ditëve banale të jetës, po ti nuk e di mbi ç’kalë ka hipur. Ti e godet përpiqesh ta rrëzosh, por ai është ndërkaq mbi një kalë të parrëzueshëm nga heshta jote. Shkrimtari është gjithmonë gjetkë. Ti e bombardon strehimin e tij e ai ndodhet në tjetër strehim. Ti e shikon në bankën e të akuzuarve në polici, e ndërkohë ai ndodhet në studion e tij, në labirint, në darkë me faraonin, në çmendinë ose në tempull… Më në fund ti ngrihesh. I ngathët si Albatrosi i Bodlerit, çapitesh midis jetës. Gjumi të ka dalë ndërkaq dhe shpirtin e ke vrer. Por prapë ke një mbrojtje që ata nuk e dinë. Ti ke një perde në sy. Kaq herë ata janë përpjekur ta heqin atë perde. Në mënyrë që të të shastisin me pamjen e tyre të egër e të zhveshur. Të të shkurajojnë të të bëjnë të dorëzohesh. Por atë perde nuk ta heqin dot. Asnjë kirurg oftamolog, asnjë makinë torture s’ka ç’i bën asaj turbullire. Sepse ajo bën pjesë në trashëgiminë e gjenit: mjegullën homerike”, shkroi Kadare.

Ubikuiteti

Vepra letrare i mundëson një shkrimtari të jetë i gjithëpranishëm, që ndryshe quhet ubikuitet (ubiquitous) apo omniprezencë. Shkrimtari i ngjan protagonistes Sabina të Marcel Aymé-së, që e ka aftësinë e kudondodhjes.

Kadareja i takon sistemin tonë kulturor dhe sistemeve të tjera kulturore. Vepra e tij komunikon dhe do të komunikojë me lexuesit që flasin gjuhë të ndryshme. Veprat e nderojnë, në rend të parë, shkrimtarin (sepse krijimi është akt vetmitarësh), por edhe kulturën dhe letërsinë të cilës i takon ai. Për një letërsi kombëtare është nder që e ka një shkrimtar si Kadareja. Këtë nuk e gëlltisin disa shpirtngushtë që kanë ambicie të mëdha, por mundësi të vogla krijuese.

Sigurisht, jo gjithçka që shkruan një shkrimtar do të mbetet. Ka shkrimtarë që kujtohen me një libër. Dante mbeti i përjetshëm me Komedinë Hyjnore, kurse Servantesi me Don Kishotin, edhe pse të dy kanë shkruar disa libra.

Intelektuali

Kadarenë mund ta analizojmë edhe për kontributin intelektual, por duhet të dimë se kjo është çështje jashtëletrare. Duhet t’i dallojmë kategoritë estetike nga kategoritë etike, që janë të ndryshme, por jo përjashtuese.

Vepra letrare e Kadaresë luajti edhe funksione të natyrës jashtëletrare. Shumë lexues të huaj e njohën Shqipërinë nëpërmjet Kadaresë. Për shumë lexues Shqipëria më nuk është “terra incognito”, por “atdheu i Kadaresë”.

Nëse Kadareja ishte disident ose jo, nëse kishte vese ose jo, nëse pati çaste ligështimi ose jo, kjo nuk i intereson atij që merret me vlerat artistike të një krijimtarie letrare. Në jetëshkrimet e gjenive gjejmë çaste të trishtueshme dhe marrëzi të pafundme, që nuk e cenojnë vlerën e veprave të tyre letrare. Kush dëshiron të dijë më shumë për jetën atipike të gjenive, le ta lexojë librin Tragjedia e gjenive.

Kadareja kishte karakter të vështirë, por kjo nuk i zbeh vlerat e veprës së tij letrare, kurse në sprovat për çështje socio-kulturore dhe politike jo gjithherë pati të drejtë.

Kadare pati edhe ofertë që të bëhej president, por e refuzoi pa mëdyshje. Shumëkush ia zu për të madhe që nuk e pranoi këtë post, ashtu si Haveli. Por, as Kadareja nuk ishte Haveli dhe as Shqipëria nuk ishte Çekia.

Shkrimtarin shpesh e shohim si misionar, mbase nën inercinë e historisë. Kadare si kryetar shteti mund të dështonte tërësisht. Shkrimtari në politikë shpesh është problematik, sepse e ka të vështirë të mendojë dhe të veprojë sipas skemave të paracaktuara.

Kadareja dha deklarata edhe për njerëz e ngjarje dhe jo përherë pati të drejtë, por e pati guximin të kërkonte ndjesë publike.

Në një rast ai tha se politikanët shqiptarë talleshin me popullin e tyre; se bënin marrëzira para diplomatëve; se silleshin me krekosje sikur të ishin politikanë të ndonjë shteti të fuqishëm. Dhe, pati të drejtë. Kemi dëgjuar përgjime ku politikanët janë tallur me popullin e tyre. Janë tallur keq. E kanë parë popullin si turmë që duhej mashtruar e manipuluar. Kjo është e pandershme dhe e pafalshme. Politikanët duhet të jenë seriozë, veçanërisht politikanët e popujve të vegjël.

Shkrimtari dhe pushteti

Është shkruar shumë edhe për raportet e shkrimtarit Kadare me pushtetin. Lufta midis individit e pushtetit është temë e përhershme në letërsi. Në shumë vepra letrare protagonistit i duhet të vendos nëse do ta dëgjojë zërin e ndërgjegjes ose do të veprojë sipas kodeve të masës. Prometeu i mbërthyer i Eskilit është një vepër shembullore për këtë betejë që përsëritet në epoka të ndryshme. Kjo vepër e trajton përplasjen e Prometeut me Zeusin. Këtë përplasje e hasim edhe në veprat e Kadaresë. Ai e ka shkruar trilogjinë e shkurtër për Prometeun, të cilin e quan “ruajtës i pishtarit moral”.

Nëse Zeusi i gjithëpushtetshëm është tirani që vepron sipas emocioneve të tij, Prometeu është miku besnik i njerëzimit dhe i mëson njerëzit të bëhen sa më të pavarur. Zeusi dëshiron t’i mbajë njerëzit nën frikë dhe dyshime shtypëse, prandaj i sheh veprimet e Prometeut si kërcënim për fuqinë e tij. Zeusi është forca, kurse Prometeu është mendja racionale që ndien dhimbje fizike dhe shpirtërore për shkak të dashurisë ndaj njerëzve, por është i vendosur në misionin e tij. Ndryshe nga Prometeu, Kadareja nuk është martiri. Ai e zgjodhi rrugën e mesme. Herë e sulmoi e herë e mikloi përbindëshin.

Shkrimtar apo martir

Ismail Kadareja, siç tha Peter Morgan-i, vlerësohej në botë si shkrimtar i madh dhe kritikohej në Shqipëri si lake i diktaturës. Kadareja bëri kompromise, por me veprën e tij e goditi diktaturën si asnjë shkrimtar tjetër. Ai e përdori alegorinë dhe distancimin historik që ta shmangte censurën e padeklaruar. Në veprat letrare, duke i zhvendosur ngjarjet në kohë të largët dhe nëpërmjet parabolës historike, aludoi në realitetin e trishtë të kohës.

Ata që e akuzojnë shkrimtarin për kompromise, bënë dhe bëjnë ligësi shumë të mëdha për çështje personale. Këta e deshën një Kadare martir dhe jo një Kadare shkrimtar.

Kadare mund të bënte akt martiri, por bashkë me veten do të flijonte edhe veprën e tij. Historia shqiptare do të kishte një martir më shumë, por nuk do të kishte një vepër gjeniale. Për letërsinë kombëtare dhe botërore kjo do të ishte humbje e madhe. Shkrimtarëve të mëdhenj, që i vijnë rrallë botës letrare, duhet t’u falen disa gabime e vese për shkak të veprës gjeniale që kanë krijuar. Fundja, asnjë njeri nuk është i pamëkatë.

Kur jemi te martirizimi duhet të themi diçka që anashkalohet: dënimet në Shqipëri ishin mesjetare. Ishin dënime kolektive. Dënohej edhe familja, ashtu si në Korenë e Veriut, ku ekziston “dënimi i brezave”. Pra, bashkë me të fajësuarin, dënohen prindërit dhe fëmijët e tij. Ky ndëshkim e step edhe kryengritësin më të vendosur, sepse nuk e dëmton vetëm veten, por edhe të tjerët. S’duhet harruar se Shqipëria ishte njëra nga diktaturat më të tmerrshme që ka ekzistuar rruzullin tokësor. Ishte muze ateist.

Me ose pa Kadarenë

Ata që s’e kanë duruar dhe s’e durojnë Kadarenë, le ta mendojnë se çfarë dëmi i solli ai kombit, kulturës, letërsisë, gjuhës dhe historisë sonë. E tradhtoi apo e lartësoi kombin? E dëmtoi gjuhën shqipe apo ishte gjuhëpasurues? E prishi imazhin kombit shqiptar në botë apo bëri të kundërtën?

Le të mbeten si pyetje. Përgjigje mund të japin të gjithë. Edhe ata që mendojnë se janë gjeni.

Vepra e Kadaresë do të mbetet pjesë e fondit të veprave gjeniale të letërsisë kombëtare dhe botërore. Kaq do të duhej të na mjaftonte si shqiptarë. Sepse nëpërmjet kësaj vepre Kadareja dëshmoi se ky komb mund t’i jepte botës shkrimtarë të mëdhenj; se gjuha shqipe, për të cilën shpesh është shkruar me paragjykime, është gjuhë letërsie e kulture.

Agim Vinca e tha me mençuri: “Kadareja foli me shekullin e vet, që shekujt të flasin për të. U bë shkrimtar universal duke qenë dhe mbetur thellësisht shqiptar. Nëpërmjet veprës së tij bota e njohu Shqipërinë dhe shqiptarët, kurse shqiptarët e njohën veten dhe botën”. /revistashenja