79 persona të infektuar me COVID-19 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Nga gjithsej 79 pacientët, 47 prej tyre janë me oksigjenoterapi, teksa dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Kjo është bërë e ditur për lajmi.net nga doktoresha e kësaj klinike, Sadije Nimani.
“Sot më 20/20/2020 në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar gjithsej 79 pacientë, prej tyre 47 janë me oksigjenoterapi dhe dy janë pacientë në gjendje më të rëndë në Respirator me modin Cipap”, tha ajo.
Që nga muaji mars e deri më sot, Kosova vazhdon të përballet me situatën e krijuar si pasojë e COVID-19, ku numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 17 mijë e 9 persona.
Të shëruar nga ky virus që ka goditur thuajse gjithë botën deri më sot janë 14 mijë e 716 persona.
Si pasojë e këtij virusi humbën jetën 656 persona.
Deri më sot, në nivel vendi, janë 80 mijë e 886 persona të cilët ishin të dyshimtë për virusin SARS COV-2, teksa numri i rasteve aktive tani për tani është 1 mijë e 637.
Prishtina, vazhdon të jetë ndër komunat me më së shumti të infektuar teksa institucionet përgjegjëse kanë vazhduar të përçojnë mesazhin për shtim të kujdesin në mbajtjen e distancës, vendosjen e maskës si dhe mbajtjen e higjienës.