Gjendja shëndetësore e Awad al-Qarnit, klerikut musliman saudit të arrestuar në fund të vitit 2017, është përkeqësuar ndjeshëm pas më shumë se një viti prapa grilave, thanë aktivistët sauditë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Al-Qarni është shtruar në spital që nga mesi i dhjetorit pas një përkeqësimi të rëndë të shëndetit të tij”, thanë aktivistët sauditë, duke folur në mënyrë anonime në llogarinë “Të burgosurit e ndërgjegjes” (m3takl) në rrjetin social Twitter.
Burimi i njëjtë pohoi se shëndeti i al-Qarnit është përkeqësuar për shkak të “neglizhimit” nga autoritetet e burgjeve saudite dhe “presionit të rëndë psikologjik” të cilit ai është duke iu nënshtruar.
Al-Qarni ishte njëri nga disa predikues muslimanë, akademikë dhe shkrimtarë të arrestuar nga autoritetet saudite në një fushatë arrestimesh në fund të vitit 2017.
Në të njëjtën fushatë është arrestuar edhe predikuesi i shquar saudit Salman al-Awda.
Paraburgimi i vazhdueshëm i Al-Qarnit dhe lajmet për gjendjen e tij shëndetësore vijnë pas kritikave ndërkombëtare kundrejt Arabisë Saudite për shkak të vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi në konsullatën saj në Stamboll tetorin e kaluar.