Gjendet pas një muaj trupi i pajetë i mësimdhënësit Naim Gashi

Është gjetur trupi i pajetë i mësimdhënësit Naim Gashi nga fshati Sapniq i Rahovecit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

“Sapo jam njoftuar nga ekipi i kërkim- shpëtimit të FSK-së, se sot është gjetur trupi i pajetë i mësimdhënësit Naim Gashi nga fshati Sapniq. Ekipi i Gardës së FSK-së, njësia e kërkim shpëtimit ‘Togu i ujërave’ në krye me rreshterin e klasit të parë Naim Mala, tash e sa ditë janë në terren për të bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë, andaj i shpreh mirënjohje të thellë për angazhimin e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Latifi ka ngushëlluar familjen Gashi.

“Familjes Gashi, miqve dhe mësimdhënësve ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e një njeriu të urtë, mësimdhënës i zoti ashtu siç ishte Naimi. Në vend të ngjarjes janë edhe ekipet e Mjekësisë ligjore, Policia e Kosovës dhe të gjitha njësitet relevante të cilat i falënderoj poashtu për ndihmën dhe bashkëpunimin”, ka thënë ai.

Ndryshe, i ndjeri dyshohet të jetë hedhur nga Ura e Fshajtë në Gjakovë,  më 25 janar.