Një 50-vjeçar është gjetur i vdekur në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Zupç të Zubin Potokut, ku po kërkohej që nga dje.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, i cili tha se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent kanë trajtuar me seriozitet njoftimin e zhdukjes së tij.
“Pas raportimit në Policinë e Kosovës për zhdukjen e një qytetari të komunitetit serb në fshatin Zupç të Zubin Potokut, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent kanë trajtuar me seriozitet njoftimin e zhdukjes së tij me dyshimin për rënie në kanalin e Ibër Lepencit, rrjedhë e Liqenit të Ujmanit”.
“Sot, zhytësit e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë dhe ekipi i AME-së pas një pune me shumë përkushtim, kanë gjetur trupin e pajetë të qytetarit në një nga tunelet e këtij kanali”.
Ministri i Brendshëm ka përgëzuar pjesëtarët për profesionalizmin e treguar, derisa ka premtuar hetime për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tij.
“Falënderoj përgjegjësit e Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenc” për bashkëpunimin ndërsa familjes së të ndjerit i shpreh ngushëllimet e mia”.
“Hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të vdekjes së tij”, ka deklaruar tutje Sveçla.