Gjenden shënime të shpërthyesit të “Cybertruck” në SHBA: Nuk është “sulm terrorist”, por “thirrje zgjimi”

Matthew Alan Livelsberger, i cili shpërtheu një “Tesla Cybertruck” jashtë një hoteli në Las Vegas në pronësi të Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, ka lënë shënime në telefonin e tij, duke e përshkruar sulmin si një “thirrje zgjimi” dhe “jo një sulm terrorist”, sipas hetuesve, transmeton Anadolu.

“Amerikanët i kushtojnë vëmendje vetëm spektakleve dhe dhunës. A ka mënyrë më të mirë për të përçuar mesazhin tim sesa një veprim me fishekzjarre dhe eksplozivë”, ka thënë Livelsberger, i cili ishte një ushtar i operacioneve speciale të Ushtrisë Amerikane dhe vdiq nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri.

“Pse e bëra personalisht tani? Më duhet të pastroj mendjen nga vëllezërit që kam humbur dhe të liroj veten nga barra e jetëve që kam marrë”, ka thënë ai.

Duke deklaruar se vendi udhëhiqet nga “udhëheqje e dobët dhe e pafat që shërben vetëm për të pasuruar veten”, ai ka shkruar: “Shokë anëtarë të shërbimit, veteranë dhe të gjithë amerikanët, është koha për t’u zgjuar”.

Motivi pas zgjedhjes së Livelsbergerit për hotelin Trump dhe një “Tesla Cybertruck” mbetet i paqartë.

Agjenti i FBI-së i Las Vegasit, Spencer Evans, u tha gazetarëve: “Hapat hetimorë kanë zbuluar dhe informacionet e ushtrisë tregojnë se ai ka të ngjarë të ketë vuajtur nga PTSD (Çrregullimi i stresit post-traumatik) dhe ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se ka pasur probleme të tjera të mundshme familjare ose personale në jetën e tij që mund të kenë qenë faktorë kontribuues”.