Gjenden mjete të pashpërthyera në Suharekë e Kamenicë, intervenojnë policia dhe FSK-ja

Dy mjete të dyshimta të pashpërthyera janë gjetur gjatë ditës së djeshme, njëra në Suharekë e tjera në fshatin Rogoqicë të Kamenicës.

Policia në raportin ditor ka bërë të ditur se mjetet janë deminuar pa incidente.

Në Suharekë, mjeti i dyshimtë është gjetur nga një person, i cili gjatë punimit të arës ka hasur në të. Ndërkohë, njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa deminimi është bërë nga njësiti i FSK-së.

“Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se gjatë punimit të arës, ka hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes. Njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes ndërsa njësiti për deminim i FSK-së ka larguar mjetin pa incidente”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në rastin e dytë, në mjetin e dyshimtë ka hasur një grua, e cila atë e ka gjetur në oborrin e shtëpisë së saj.

“Ankuesja femër kosovare ka njoftuar policinë se në oborrin e shtëpisë së saj ka gjetur një mjet të dyshuar. Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia e deminimit të Policisë së Kosovës që e ka bërë shpërthimin e kontrolluar të mjetit pa ndonjë incident”, thuhet në raportin ditor të PK-së.