Ballina Lajmet Kosovë Gjenden mbetje mortore në Gjakovë, dyshohet se i përkasin një ushtari të...

Gjenden mbetje mortore në Gjakovë, dyshohet se i përkasin një ushtari të UÇK-së

Mbetje mortore të një personi deri më tani të paidentifikuara, janë gjetur në lagjen e Brekocit në Gjakovë, në vendin ku janë të varrosur dëshmorët e luftës.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie, nga Policia në Gjakovë, ku po ashtu bëhet e ditur se mbetjet mortore janë me veshje ushtarake dhe emblemë të UÇK-së, për çka dyshohet se fjala është për ndonjë ushtarë.

“Me datë 15.02.2021 rreth orës 10:00, Stacioni policor – Gjakovë ka pranuar informatë se në vorrezat e qytetit të Gjakovës që janë më lokacion në lagjen e Brekocit, në vendin ku janë të vorrosur dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë, janë gjetur mbetje mortore të një personi të pa identifikuar- panjohur, e që ishte me veshje ushtarake dhe emblem të UÇK- së”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas komunikatës, patrulla policore ka dalë në vend të ngjarje, ka kontaktuar me dëshmitarin e rastit, e që është dhe punëtor i varrezave të qytetit,  dhe njofton se derisa po hapte një gropë varri ka hasur në mbetjet mortore në fjalë.

“Dyshohet se mbetjet mortore i përkasin një ushtari të UÇK-së deri tani të pa identifikuar, gjithashtu nuk dihet dhe nga kush është varrosur aty. Në vend ngjarje ka dalë njësia e hetimeve të stacionit policor – Gjakovë, ato Rajonale dhe pritet së shpejti të dali dhe Njësia qendrore e Hetimit të Krimeve të Luftës”, thuhet tutje në komunikatë.