Gjenden gjurmë dinozauri në plazhin anglez

Adhuruesit e Jurassic Park tani kanë mundësinë të ndjekin të njëjtën rrugë si gjigandët parahistorikë pasi gjurmët e këtyre të fundit janë zbuluar në një plazh në bregun perëndimor të Anglisë.

Inxhinierët e Agjencisë Mjedisore po kërkonin si të përforconin mbrojtjen nga deti në Isle of Wight kur zbuluan fosilet, raporton CNN.

Ekspertët besojnë se gjurmët 125 milionë vjeçare i përkasin një mantelisaurusi i cili është 7 metra i gjatë dhe me 3 gishta këmbësh që e bëjnë të dallueshëm nga dinozaurët e tjerë. Mantelisaurusi ishte bimëngrënës dhe jetuan gjatë pjesës së tretë të periudhës mesozoike e cila përfundoi 66 milionë vite më parë.

Agjencia Mjedisore tha se fosilet u gjetën në një vend turistik përkrah një kafeneje në plazh, një parkingu dhe një stacioni autobusi. Ndonëse turistët kanë shkelur pa e ditur mbi gjurmët e dinozaurit, zbulimi nuk është një surprizë për ekspertët.

Në këtë vend janë gjetur të paktën 35  lloje të ndryshme dinozaurësh. Në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër gjendet skeleti i një mantelisaurusi që është zbuluar në Isle of Wight në vitin 1917. Sipas Agjencisë Mjedisore, është një prej skeleteve më të plota të dinozaurëve në Mbretërinë e Bashkuar.