Trupat e pa jetë të dy grave të moshuara – në dy lokacione të ndryshme – janë gjetur mëngjesin e së premtes në Shtërpcë, njofton Klan Kosova.
Njëra nga gratë, Draginja Nikolceviq, është vrarë, kurse viktima tjetër dyshohet të ketë vdekur nga shkaqe natyrore.
Komandanti i stacionit policor në Shtërpcë, Dragan Ivanoviq, i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Tanjug se trupat e pajetë të dy grave të moshuara janë gjetur nga fqinjët.
Ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për një vrasje me motive etnike.
“Një grua e moshuar është vrarë dhe, siç besojmë ne, motivi është tek të drejtat e pronësisë, përfitimet, dhe personi i dyshuar për këtë vrasje është arrestuar dhe gjendet në stacionin e policisë”, ka thënë Ivanoviq.
Më vonë Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim për media ku tregon se 91 vjeçarja është qëlluar me thikë në kokë nga e dyshuara N.N., 28 vejçare, familjare e viktimës, por me banim në Beograd.
Policia njofton se “në vendin e ngjarjes janë gjetur dy mjete të mprehta(thika) me të cilat dyshohet se është kryer vepra,dorëzat plastike , si dhe prova tjera të cilat janë gjetur në trupin dhe rrobet e të dyshuarës të cilat e ndërlidhin me vendin e krimit”.
“Gjatë intervistës preliminare e dyshuara ka pranuar në tërësi veprën e kryer. Si motiv e dyshuara ka cekur problemet pronësore lidhur me një patundshëri”.
Me urdhër të Prokurorit ajo është dërguar në mbajtje për 48 orë, deri në kompletimin e lëndës.