“Gjatë protestave në Iran humbën jetën të paktën 106 persona”

Organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” ka njoftuar se të paktën 106 persona e kanë humbur jetën gjatë protestave të zhvilluara në 21 qytete të Iranit kundër rritjes së çmimit të karburantit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim “Amnesty International” vuri në dukje se numri i të vdekurve mund të jetë edhe më i lartë nga sa parashikohet. Më tej tërhiqet vëmendja në kufizimet e medias dhe ndalimin e internetit në Iran. Pamjet nga videot e konfirmuara, deklaratat e dëshmitarëve dhe “informacionet e sigurta” nga aktivistë jashtë vendit tregojnë se protestuesit janë vrarë nga forcat e sigurisë.

Gjithashtu thuhet se protestuesit janë vendosur në objektivin e snajperëve nga disa pika nëpër çati si dhe një herë nga helikopteri.

Në deklaratë është përfshirë edhe deklarata e drejtorit për kërkime dhe mbrojtje në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut të “Amnesty International”, Philip Luther i cili ka thënë se “Autoritetet duhet menjëherë t‘u japin fund këtyre presioneve brutale dhe vdekjeprurëse dhe se duhet të respektojnë jetën e njerëzve”.