Klaus Gjasula është tërhequr nga Kombëtarja e Shqipërisë.
Lajmin për tërheqjen e tij nga ekipi kuqezi e ka bërë të ditur të mërkurën Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
Gjasula, 34-vjeçar nga viti 2019 luajti 29 ndeshje për Shqipërinë, përfshirë edhe ndeshjen ndaj Kroacisë në Evropianin “Gjermania 2024”.
“Klaus Gjasula, pas ‘Euro2024’, ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja dhe FSHF e falënderon pafundësisht mesfushorin për kontributin e dhënë në fushë dhe jashtë saj. Klausi gjithmonë ka qenë një shembull në Kombëtare me angazhimin dhe sjelljen e tij. Faleminderit luftëtar!”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.
Gjasula ka thënë se e ka realizuar ëndrrën.
“E kisha ëndërruar gjithmonë të luaja me Kombëtaren dhe e realizova. Isha në një Europian, shënova një gol dhe u ndjeva njeriu më i lumtur në botë. Nëse kthej kokën pas, kam plot momente të bukura me fanellën kuqezi, që nga grumbullimi i parë, te ndeshja debutuese ndaj Francës në ‘Stade de France’ dhe tek ajo e fundit ndaj Kroacisë në Euro 2024. Edhe kur e mendoj tani ende dridhem nga emocionet. Gjithsesi, jam menduar shumë kohët e fundit dhe me ftohtësi kam gjykuar e kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Është vendimi i duhur për t’u hapur rrugën të rinjve, që Kombëtarja jonë fatmirësisht ka shumë. Unë e realizova ëndrrën time dhe tani është koha për të tjerë që ta plotësojnë dhe ta jetojnë atë ëndërr”, ka thënë ai në profilin e tij në Instagram.
34-vjeçari ka theksuar se do ta mbështesë Shqipërinë si tifoz. Ai ka falënderuar FSHF-në, trajnerët me të cilët ka punuar dhe bashkëlojtarët.
Mesfushori Gjasula është pjesë e Darmstadtit, që garon në Bundesliga 2 të Gjermanisë.
Ka luajtur edhe për disa klube tjera gjermane.