Maqedonia e Veriut ka regjistruar të enjten gjashtë të vdekur me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë: nga dy në Shkup (75 dhe 76 vjeç) dhe Tetovë (53 dhe 77 vjeç) dhe nga një në Gostivar (58) dhe Manastir (79).
Të gjithë kanë ndërruar jetë nëpër spitale.
Sipas raportit, nga 5,390 testet e bëra janë regjistruar 639 raste të reja me COVID-19.
Më shumë të infektuar janë regjistruar: Shkup – 218, Tetovë – 113, Gostivar – 99, Strumicë – 37, Kumanovë – 34 dhe Kërçovë – 32.
Sipas autoriteteve, 22 pacientë të shëruar brenda 24 orëve.
Numri i personave të diagnostikuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i epidemisë është 159,908, numri i pacientëve të shëruar është 150,635, numri i vdekjeve 5,527, kurse numri i rasteve aktive është 3,746.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për rritjen e interesimit të qytetarëve për t’u vaksinuar. Sipas njoftimit, deri të enjten janë dhënë mbi një milion vaksina.
“Interesimi për vaksinimin është rritur ndjeshëm. Vaksinimi po zhvillohet pandërprerë në të gjithë vendin. Gjithsej 1,016,700 doza vaksinash janë aplikuar prej tyre 454,788 qytetarë kanë marrë nga dy doza”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Vaksinat janë të sigurta dhe efektive dhe janë mënyra e vetme për të mposhtur pandeminë. Vetëm vaksinimi i plotë parandalon formën e rëndë të sëmundjes, zvogëlon mundësinë e sëmundjes dhe humbjen e jetëve”, thuhet në njoftim.
Maqedonia e Veriut nga data 16 gusht rikthen masat shtrënguese, ndalimin e punës në hapësirat e mbyllura në sektorin e gastronomisë, restorante e sallone dasmash, që besohet të jenë shkaktarët e përhapjes së virusit. /rel