Është e vështirë të imagjinohet se kripa, një nga erëzat më të njohura dhe më të zakonshme që përdoret në mbarë botën, nuk i shtohet shumicës së pjatave. Kripa u jep gjellëve një shije më të mirë, por është e rëndësishme të bëni kujdes që të mos e teproni. Nëse konsumohet shumë kripë, mund të shkaktojë probleme me funksionin e veshkave dhe presionin e lartë të gjakut, por edhe të shkaktojë probleme të vogla si dhimbje koke.
Këta janë treguesit më të zakonshëm që tregojnë se po konsumoni shumë kripë në dietën tuaj.
Tensioni i lartë i gjakut
Konsumimi i tepërt dhe i shpeshtë i kripës mund të shkaktojë presion të lartë të gjakut, i cili është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe problemeve me veshkat. Kripa ruan ujin në qarkullimin e gjakut, rrit volumin e gjakut dhe krijon më shumë presion në muret e enëve të gjakut, transmeton Health Shots.
Shpesh keni etje
Konsumimi i tepërt i kripës mund të ketë efekt dhe t’ju bëjë të ndiheni shumë të etur. Kjo ndodh sepse kripa e tërheq ujin nga qelizat dhe futet në qarkullimin e gjakut për të holluar natriumin e tepërt, duke shkaktuar përgjigjen e etjes së trupit që ndonjëherë nuk ndalet edhe pas disa gotave ujë.
Probleme me veshkat
Marrja e tepërt e kripës mund të sforcojë veshkat, të cilat luajnë një rol kyç në filtrimin e natriumit të tepërt nga gjaku. Me kalimin e kohës, kjo mund të dobësojë funksionin e veshkave dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve të veshkave, raporton Health Shots.
Ënjtje në pjesë të caktuara të trupit
Ata që e ekzagjerojnë marrjen e kripës mund të kenë probleme me ënjtjen. Marrja e tepërt e kripës mund të shkaktojë mbajtje të lëngjeve në trup, duke çuar në ënjtje në duar, këmbë, kyçe ose bark. Ënjtja ndodh sepse trupi ruan ujë në mënyrë që të ketë lëngje të mjaftueshme për shkak të marrjes së tepërt të kripës, shkruan Index.hr, transmeton Klankosova.tv.
Rrahje të tepërta dhe të parregullta të zemrës
Konsumimi i tepërt i kripës mund të shkaktojë një rrahje të parregullt dhe të tepruar të zemrës dhe të prishë ekuilibrin e elektroliteve në trup. Një çekuilibër i elektroliteve si natriumi dhe kaliumi mund të çojë në një zemër të mbingarkuar dhe të rrahur, gjë që mund të shkaktojë rrahje të parregullta të zemrës, veçanërisht te njerëzit me sëmundje të zemrës.
Dhimbje koke të forta
Konsumi i tepërt i kripës mund të kontribuojë dhe të shkaktojë dehidrim dhe ndryshime në rrjedhën e gjakut. Në disa njerëz, kjo mund të shkaktojë dhimbje koke të forta dhe migrenë që i pengon ata të funksionojnë normalisht, raporton Health Shots.