Gjashtë muaj përballje me koronavirus, 596 persona të vdekur dhe 14 mijë e 637 të infektuar në Kosovë

Janë bërë gjashtë muaj që kur në Kosovë janë regjistruar rastet e para me virusin COVID-19.

Më 13 mars të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar rastet e para me virusin COVID-19.

Që nga ajo kohë e deri më tani, në vendin tonë janë 14 mijë e 637 persona të infektuar me koronavirus.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për gjashtë muaj nga koronavirusi në vendin tonë kanë vdekur 596 persona.

Ndërkaq numri më i lartë i vdekjeve nga ky virus është regjistruar në muajin gusht.

Siç bën të ditur IKSHPK-ja, numri i të shëruarve nga koronavirusi në vendin tonë ka arritur në 11 mijë e 435.

Bazuar në këto të dhëna të IKSHPK-së, numri i rasteve që mbeten akoma aktive në vend me COVID-19, është 2 mijë e 606, shkruan lajmi.net.

Theksojmë se që nga fillimi i pandemisë e deri më tash, komuna e cila prin me numrin e të të infektuarve mbetet Prishtina, pas saj pason Mitrovica, Prizreni, Ferizaj, Peja dhe Gjakova.

Ndryshe sot në Kosovë ka filluar viti i ri shkollor në shumicën e shkollave.

IKSHPK ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit shkollor, duke rekomanduar zbatimin e rregullave të reja në shkollë.