Gjashtë fanellat e Messit shiten për 7 milionë euro në ankand

Gjashtë fanella të veshura nga ylli i futbollit, Lionel Messi, gjatë triumfit të Argjentinës në Kupën e Botës vitin e kaluar janë shitur për pak më shumë se 7 milionë euro në ankand të enjten në mbrëmje në New York.

Argjentina mposhti Francën në ekzekutimin e penalltive pas barazimit 3:3 në finale të Kupës së Botës. Ishte triumfi i tretë i Argjentinës në Botëror.

Messi i shënoi dy nga tri golat në kohën e rregullt dhe në vazhdime.

36-vjeçari Messi, aktualisht është pjesë e Inter Miamit në ligën MLS në SHBA.

Për 17 vjet mbajti veshur fanellën e Barcelonës, ndërsa karrierë ka bërë edhe te PSG-ja.

Megjithatë, Messi nuk e ka thyer rekordin e shitjeve të fanellave në ankande.

Rekordin e mban fanella e Michael Jordanit në finalet e ligës NBA në vitin 1998.

Ajo ishte shitur për nëntë milionë euro në New York, vitin e kaluar.