Gishtat e ënjtur, shenjë e këtyre problemeve shëndetësore

Gishtat ënjten për një sërë arsyesh. Disa janë të padëmshme, por ndonjëherë ënjtja mund të paralajmërojë për gjendje më të rënda shëndetësore, transmeton Gazeta Sinjali.

Ja cilat janë disa nga shkaqet më të zakonshme të ënjtjes së gishtave, dhe kur duhet të konsultoheni me mjekun.

Osteoartriti ose artriti reumatoid

Nëse ju janë ënjtur artikulacionet kockore të gishtave, shkaku mund të jetë osteoartriti, sidomos nëse i keni gishtat të ënjtura në mëngjes. Osteoartriti shoqërohet shpesh (jo gjithmonë) me dhembje dhe ngurtësim të gishtave. Artriti reumatoid, një sëmundje autoimunitare që prek veshjen e brendshme të artikulacioneve, mund të shkaktojë gjithashtu ënjtje. Ndryshe nga osteoartriti, artriti reumatoid nuk është një sëmundje e lidhur me moshën dhe mund t’i ndodhë kujtdo, në çdo moshë. Zakonisht njerëzit me artrit reumatoid kanë ënjtje të kyçeve dhe artikulacioneve të gishtave.

Bllokim në sistemin limfatik

Limfedema është një sëmundje e ënjtjes së gjymtyrëve që shfaqet kur lëngjet limfatike (që mbajnë papastërti, baktere dhe viruse) nuk zbrazen siç duhet. Në këtë rast mund të ënjten gishtat e duarve dhe të këmbëve, si dhe në disa raste edhe i gjithë krahu dhe këmba. Lëkura gjithashtu mund të duket më e tendosur ose më e ënjtur se zakonisht. Trajtimet me rreze për kancerin e gjirit zakonisht bëhen shkak për zhvillimin e limfedemës. Në raste më të rralla, limfedema mund të shkaktohet gjithashtu edhe nga një zhvillim jonormal i sistemit limfatik.

Preklampsia

Ënjtja është tipike për gratë shtatzëna. Megjithatë, ënjtja e duarve dhe fytyrës – sidomos nëse krijohet një hapësirë bosh në lëkurë kur e prekni me gishtin tregues – mund të jetë shenjë e preklampsisë. Kjo gjendje karakterizohet nga tensioni i lartë i gjakut dhe, nëse lihet pa trajtuar, mund të shkaktojë ndërlikime të rënda si për nënën ashtu edhe beben.

Sëmundja Raynaud

Shfaqet nga ngushtimi i arterieve si pasojë e motit të ftohtë ose stresit. Nga ngushtimi i arterieve kufizohet edhe qarkullimi i gjakut. Ënjtja, së bashku me mpirjen ose ndjesinë e shpimit me gjilpërë, shfaqet kur gjaku fillon të qarkullojë normalisht (kur ju ngrohen duart ose nuk keni më probleme me stresin). Kjo gjendje është më e zakonshme te gratë sesa te burrat.

Probleme me veshkat

Nëse veshkat nuk i filtrojnë mirë të gjitha lëngjet, trupi do t’i ruajë ato, dhe si pasojë shkaktohet ënjtja në disa pjesë të trupit, njohur në gjuhën mjekësore si edema. Edema mund të prekë çdo pjesë të trupit, megjithatë shkakton më shumë ënjtje të duarve, këmbëve dhe artikulacioneve. Veshkat rregullojnë dhe elektrolitet në tru, kështu që çdo lloj problemi me veshkat mund të ndikojë te ky proces. Hipertensioni dhe diabeti janë disa nga sëmundjet që mund të shkaktojnë këto probleme me veshkat.